Lidhje

Kadare:egërsia e klimës politike pengon diskutimin intelektual - 2004-11-25


Shkrimtari i njohur Ismail Kadare thotë se mendimi negativ për Ballkanin i përhapur në Evropë është një klishe dhe shpreh besimin tek ndjenja e fisnikërisë së ballkanasve. Në një intervistë me Zërin e Amerikës, zoti Kadare kritikoi gjithashtu prirjen për të injoruar të shkuarën në vendet ish-komuniste. Ai bëri gjithashtu komente për ndjenjat anti-amerikane në Francë dhe për qëndrimin e vendeve të Evropës Lindore dhe Qendrore në raport me Evropën Perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara. Kolegia jonë Keida Kostreci, bisedoi me zotin Kadare, në universitetin Bard të Shtetit të Nju Jorkut ku ai ndodhet për të dhënë leksione për veprën e tij.

Zëri i Amerikës: Në vendet e Ballkanit, por edhe në pjesë të tjera të botës përkatësia etnike dhe fetare, është bërë shpesh burim konfliktesh të përgjakshme. A mendoni se do të vijë një ditë kur identiteti etnik dhe fetare të mos jetë më burim konfliktesh dhe të mos ketë më ndasi të tilla për shkak të përkatësisë etnike?

Ismail Kadare: Unë besoj se po, por kjo do të jetë shumë e ngadaltë, nuk do të vijë përnjëherësh. Ka shumë faktorë që do të veprojnë në këtë gjë, por që do të ketë patjetër një kohë të tillë. Do të vijë gradualisht, ngadalë, por besoj se po. Për të jetuar në mënyrë demokratike të emancipuar, liberale, si të thuash, njerëzore nuk është e nevojshme të heqësh dorë nga identiteti yt kombëtar. Nuk ka mundësi të krijohet në botë një popull vetëm, nuk e mban dot njerëzimi këtë; nuk mund të krijohet një gjuhë, nuk e mban njerëzimi; nuk mund të krijohet një kulturë, nuk e mban dot planeti ynë këtë gjë. Bota është rregulluar në një farë drejtpeshimi, një farë ekuilibri, ku janë të ndara kulturat, popujt, gjuhët dhe ato duhet të merren vesh me njëri-tjetrin në mënyrë njerëzore, në mënyrë harmonioze. Nuk është zgjidhja, zhdukja e ndryshimeve, që të merremi vesh mirë. Kjo gjë është një keqkuptim tragjik. Nuk mund të ketë zhdukje identitetesh. Nuk mund të sjellë asgjë të mirë kjo gjë. Bota nuk mund të funksionojë si një etni e madhe, e pafundme. Nuk ka sesi, sepse është kundër natyrës, sesi ai ka lindur. Prandaj nuk duhet kërkuar një gjë e tillë. Kjo është një kërkesë jo vetëm naive, por edhe e mbrapshtë si kërkesë, domethënë, që të bëhemi modernë, të zhdukim identitetin. Kjo mund të sjellë një katastrofë tjetër pastaj, të kërkohen qindra identitete të tjera artificiale.

Zëri i Amerikës: Në vendet ku para 15 vjetësh u përmbys komunizmi në Evropën Qendrore dhe Lindore, duket se ka një humbje të kujtesës historike, ose një injorim të saj. Në disa raste, tek shkrimtarë dhe gazetarë të rinj kjo merr edhe formën e cinizmit ndaj një periudhe të tillë. Çfarë mendoni për një dukuri të tillë, për humbjen pra të kujtesës historike të një periudhe të tërë?

Ismail Kadare: Kam frikë se këtu përziehet edhe një farë snobizmi. Një popull natyrisht nuk jeton me të kaluarën, aq më tepër brezat e rinj, por edhe ta harrosh të kaluarën, nuk është normale. Merret si shenjë moderniteti, kjo disa herë. Kjo nuk është shenjë moderniteti: askush nuk e harron atë që i ka ndodhur në jetë, aq më pak një popull mund të harrojë. Kam frikë se këtu lozin një rol edhe njerëzit që duhet të hiqen sikur harrojnë, sepse iu duket vetja sikur jetojnë me të ardhmen, etj, etj, një klishe e tillë... Nuk mund të jetosh me të ardhmen normalisht, në qoftë se e kaluara të bëhet mjergull, nuk merr vesh ku ke qenë. Assesi! Natyra njerëzore, jeta njerëzore ka tri përmasa: e tanishmja, e kaluara, e ardhmja dhe kjo kështu ka qenë dhe kështu do të mbetet. Nuk mundet të ndryshojë natyra njerëzore në këtë drejtim.

Zëri i Amerikës: Si e shikoni rolin e intelektualëve, aktualisht në Evropën Qendrore dhe Lindore. Duket se ata janë në një gjendje të brishtë jo vetëm nga ana ekonomike, por edhe nga pozicioni dhe pesha e tyre në shoqëritë e këtyre vendeve. Cili është mendimi juaj për një dukuri të tillë?

Ismail Kadare: Në këto vende për fat të keq ka shumë egërsi dhe injorancë dhe prandaj kur klima është e tillë, kur ka shumë brutalitet, inteligjenca dhe intelektualët, druhen. Në kuptimin jo se kanë frikë, por fyhen nga një egërsi e tillë. Është jo normal një diskutim radikal. I keni vënë re për shembull diskutimet në Shqipëri? Janë shumë të egra dhe vetvetiu i heqin çdo dëshirë intelektualëve që të marrin pjesë në to. Pra një arsye është kjo: Është egërsia e klimës: Diskutimi intelektual, diskutimi liberal kërkon një klimë normale.

Zëri i Amerikës: Ndërsa gjithnjë e më shumë vende anëtarësohen, ose synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, duket se Ballkani është rajoni i vetëm që ka ngelur si vrimë e zezë në këtë kontinent. Sa mendoni se ndikojnë në këtë gjendje ndjenjat nacionaliste, psikologjia e popujve të Ballkanit?

Ismail Kadare: Unë jam kundra atij mendimi, krejtësisht mosbesues dhe negativ për Ballkanin. Është një klishe e tillë në Evropë, e përhapur kudo, vazhdon prej një shekulli. Unë mendoj se është një mendim i pasaktë, i pathellë, është mendjelehtë dhe ka brenda një lloj mendësie kolonialiste jo të hapur, por të fshehtë. Ballkani është një rajon i botës, me tërë të mirat e veta, me tërë prapësitë e veta. Nuk janë rajonet e tjera, të botës po se po, por as të Evropës, që të jenë kaq shumë për t’u mburrur para Ballkanit, sepse në këto vende ne e dimë, kanë ndodhur tmerre që nuk do të harrohen mijëra vjet, prandaj nuk ka pse të marrë Ballkani më tepër se ç’mban kurrizi i tij, si të thuash në këtë historinë evropiane. Për fat të keq popujt e Ballkanit janë shumë të bujshëm në të keqen e tyre dhe kur të arrijnë të jenë pak të bujshëm edhe në të mirën e tyre, unë mendoj se për Ballkanit do të fillojë vërtet një epokë e re, një kohë e re. Këto nuk janë fraza të bukura që mund të thuhen, si poetike, por unë i njoh shumë mirë ballkanasit dhe ata vërtet kanë një rezervë fisnikërie në natyrën e tyre, e cila për fat të keq është mbuluar nga e keqja deri tani, nga budallallëku, nga marrëztë që kanë bërë, nga ato ethet që i kapin herë pas here, që nuk dinë si të dalin prej tyre. Por megjithatë ajo rezerva e fisnikërisë është aty dhe është mesa duket për një kohë të ardhme. Për fat të keq do të vonojë ndoshta, por ka për t’u shfaqur me siguri.

Zëri i Amerikës: Si një intelektual dhe shkrimtar që jeton vazhdimisht në Francë, nga vëzhgimet tuaja si ju duken ndjenjat e francezëve ndaj amerikanëve. A është e vërtetë që ka një ndjenjë aq të theksuar anti-amerikane?

Ismail Kadare: Për fat të keq po! Unë ndoshta nuk do t’i përgjigjesha me kaq lehtësi kësaj pyetjeje, në qoftë se nuk do ta kisha thënë mendimin tim në Francë për këtë, se nuk do të më vinte mirë aspak që të thoja një kritikë për Francën, duke qenë në Amerikë. Por unë në 2-3 raste në shtypin e madh francez, kur më kanë pyetur, e kam thënë fare fare qartë dhe shkoqur: për fat të keq unë nuk jam dakord me këtë që po bën Franca. Franca po bën një gjë që është kundër vetes së vet. Unë jam një shkrimtar që kam shumë herë më shumë lidhje me Francën, ose mund të them se kam lidhje vetëm me të dhe shumë pak me Shtetet e Bashkuara dhe s’kam ndonjë lidhje, përveç lidhjeve që ka gjithë populli shqiptar me. Unë vetë si shkrimtar një pjesë të jetës e kaloj në Francë. Normalisht duhet të mbroja Francën, por e kam thënë hapur në shtypin francez, që Franca bën një gabim të madh, që ka lejuar këtë epidemi antiamerikane. Kjo është jashtë logjike, është jashtë etikë, është jashtë interesave të saj. Franca dhe Shtetet e Bashkuara, nuk kanë ndarje të thella serioze, por është një ndarje e cekët, për fat të keq pasionante. Nga ana tjetër duhet sqaruar edhe një gjë: në Francë ka një grup shumë të fortë shkrimtarësh, intelektualësh, filozofësh që janë kundra kësaj dhe kanë dalë hapur në shtyp dhe këtë të mirë e ka opinioni francez, që e pranon. Duke rënë vetë një pjesë e madhe e tij në këtë pasion anti-amerikan, pranon dhe dëgjon me nderim gjithashtu këtë grup shumë të fortë intelektualësh, filozofësh, shkrimtarësh, gazetarësh, që janë kundra kësaj.

Zëri i Amerikës: Si e shpjegoni qëndrimin e vendeve të Evropës Lindore dhe Qendrore ndaj dy anëve të Atlantikut, pra të Shteteve të Bashkuara dhe të Evropës. Ndërkohë që shumica e këtyre vendeve synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ato në fakt kanë mbështetur Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kohët e fundit. Si e shpjegoni një qëndrim të tillë?

Ismail Kadare: Interesi i këtyre shteteve ka qenë me Evropën dhe megjithatë ata përkrahën Amerikën. Kjo tregon e para njëherë një ndershmëri politike, një integritet shumë të lartë; e dyta një mençuri shumë të thellë. Domethënë këto shtete treguan një moralitet shumë të lartë, këto shtete ku bën pjesë edhe Shqipëria, që megjithë interesat që kanë, që po rrinë para portave të Evropës, duke pritur radhën që të hyjnë, erdhi puna mbajti një qëndrim parimor, jashtëzakonisht në kuptimin e moralitetit, të lartë. Kjo ka edhe një shpjegim tjetër sigurisht. Këto vende, duke përfshirë edhe vendin tonë Shqipërinë, ne na ka ardhur në majë të hundës propaganda amerikane. Ne më mirë se kushdo e dimë, që antiamerikanizmi klasik, është stalinizëm i kulluar. Stalinizmi ka jetuar dhjetra vite dhe ushqimi kryesor i tij ishte antiamerikanizmi. Natyrisht për neve është si një ëndërr e keqe të dëgjosh po ato parulla të përsëriten sot në vendet perëndimore evropiane. Ato që ne i kemi pasur tmerr gjatë viteve të komunizmit, nga mëngjesi në darkë, radioja, shtypi fliste kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vjen tani periudha e demokracisë dhe përsëri të dëgjosh, unë që jam në mes të Parisit, ato parulla ato sllogane që ngjajnë 100 për qind me ato që kemi dëgjuar dhe jetuar të gjithë në kohë, në atë mizerje politike të pafund. Pra këto popuj mesa duket, kjo ua ka hapur sytë, i ka bërë të jenë më të kthjellët. Dhe vizioni i këtyre popujve, duke përfshirë edhe vizionin shqiptar, ata e shikojnë perëndimin si një botë unike, që s’duhet të ndahet, mund të kenë kundërthënie sigurisht, por kurrsesi nuk mundet të përçahen, është shumë më i shëndetshëm dhe shumë më i zgjuar se çdo vizion tjetër. Në qoftë se ka ndonjë gjë që mund të jemi krenarë ne, se pak gjëra ka që jemi krenarë, për fat të keq, mund të jetë edhe kjo, se së bashku me popujt e tjerë që sapo kanë dalë nga perandoria komuniste.

XS
SM
MD
LG