Lidhje

Si mund të studiosh në Shtetet e Bashkuara? - 2004-11-29


Ndihma financiare është gjëja e parë që duhet menduar nga cilido që ka në plan të vijë në Amerikë për të studiuar sepse në fakt studentëve të huaj që vijnë këtu nuk u ofrohet shumë në aspektin financiar.

Pjesa më e madhe e studentëve që vijnë në Amerikë e paguajnë shkollimin e tyre me paratë e veta ose me paratë e familjes. Grupi NAFSA: Shoqata e Edukatorëve Ndërkombëtarë thotë se kjo gjë është e vërtetë për 81 përqind të studentëve.

Kjo ndodh ngaqë studentëve të huaj nuk u ofrohet shumë ndihmë financiare në Shtetet e Bashkuara. Studentët e huaj pasuniversitarë kanë më shumë shanse se studentët universitarë. Megjithatë, 47 përqind e studentëve të huaj pasuniversitarë e paguajnë shkollimin me paratë e tyre ose të familjes së tyre.

Pjesa më e madhe e ndihmës financiare nga qeveria dhe grupet private u shkon shtetasve amerikanë. Disa vende u sigurojnë ndihmë shtetasve të tyre për të studiuar në Shtetet e Bashkuara, nën garancinë që ato të kthehen në atdhe pas studimeve.

Qeveria e Shteteve të Bashkuara jep ndihmë për studentë nga disa vende. Hollësi mund të kërkohen nga ambasada amerikane ose nga një zyrë e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Edhe universiteti lokal mund ta ketë një informacion të tillë.

Disa shkolla amerikane sigurojnë ndihmë financiare për studentët e huaj. Një listë e këtyre shkollave mund të gjendet në një faqe interneti. Kjo faqe jep edhe shumë informacion se kujt duhet t’i shkruash për të kërkuar ndihmë financiare. Dhe i paralajmëron studentët të mos paguajnë nëse kërkohen para për formularët e aplikimit për bursa, sepse mund të mashtrohen. Adresa është edupass.org.

Kjo faqe të tregon gjithashtu se si të porosisësh botime të tilla si Financimi për të studiuar në Amerikë - Udhëzime për Studentët dhe Profesionistët e huaj. Ky libër udhëzimesh jep një listë prej më shumë se 600 vendesh ku studentët ndërkombëtarë mund të marrin ndihmë për të paguar për studimet e tyre. Përsëri, faqja e internetit është edupass.org.

Në internet mund të gjendet shumë informacion rreth ndihmës financiare. Nëse nuk ke kompjuter, atëhere mund ta kërkosh informacionin në një shkollë apo qendër edukimi.

Një faqe tjetër e dobishme për studentët është ajo që administrohet nga Departamenti i Shtetit. Adresa e saj është educationusa.state.gov.

XS
SM
MD
LG