Lidhje

1 dhjetori, Dita Ndërkombëtare e Sidës - 2004-12-01


1 dhjetori është Dita Botërore e Sidës. Është një ditë për të kujtuar ata që kanë vdekur nga Sida dhe ata që jetojnë me virusin që shkakton sëmundjen. Dita Botërore e Sidës po ashtu është një rast i mirë për të tërhequr vëmendjen për ndikimin e epidemisë së sidës dhe për masat që po merren për të luftuar këtë sëmundje të pashërueshme. Specialistët në Qendrën e Kontrollit të Sëmundjeve në Amerikë thonë se Sida dhe virusi HIV që e shkakton atë vazhdojnë të jenë problemi kryesor ndërkombëtar për shëndetin publik në këtë dekadë. Ende nuk ka një kurë për sidën. Mbi 16 milionë njerëz në mbarë botën kanë vdekur nga sida dhe mbi 16 mijë të tjerë infektohen çdo ditë nga virusi i sidës. Epidemia është bërë një element pengues për shumë vende në zhvillim që të përballojnë koston e zhvillimit ekonomik dhe social.

Raporti i fundit i OKB-së, thotë se rajoni më i prekur i botës është Afrika nën-Sahariane ku jetojnë 23 milionë njerëz të prekur nga virusi HIV dhe Sida dhe ku kanë vdekur 13 milionë të tjera nga sida. 57 përqind e të prekurve nga sida në këtë rajon janë femra. Në Afrikë çdo ditë infektohen nga virusi HIV 10 mijë persona. Shkencëtarët thonë se epidemia e sidës po ushtron një ndikim të madh edhe në rajone të tjera të botës si Azia dhe Evropa Lindore. Sipas studimeve të fundit, Rusia dhe India janë dy vendet me ritmin më të shëpejtë të përhapjes së sidës, ndërsa në Kinë ka të paktën 840 mijë perssona që jetojnë me sidë ose janë prekur nga virusi HIV.

Duke shënuar Ditën Botërore të Sidës, zyrtarët e shëndetit publik të adminisitratës amerikane ripohuan angazhimin e muajit shkurt të Presidentit Bush për të shpenzuar 15 miliardë dollarë gjatë 5 vjetëve të ardhshëm për të luftuar sidën në mbi 100 vende të botës. Randall Tobias, bashkërenduesi i Uashingtonit për Sidën, thotë se plani po ndihmon në trajtimin e mbi 200 mijë personave në 15 vende të ndryshme në Afrikë, Karaibet dhe Azi.

“Duke realizuar synimin afatshkurtër, ne jo vetëm që do të dyfishojmë numrin e personave që marrin kura në Afrikën nën-Sahariane brenda një viti, por po ashtu jemi në rrugë të mbarë për synimin tonë afat-gjatë për të realizuar synimin e presidentit për të siguruar kura për 2 milionë persona në 15 vende nga më problematiket deri në fund të planit tonë 5 vjeçar”, thotë zoti Tobias.

Shkencëtarët thonë se një hap pozitiv është hedhur në Ugandë ku niveli i të infektuarve nga virusi HIV ka rënë 6 përqind pjesërisht edhe si rezultat i fushatës publike të qeverisë. Tommy Thompson, Sekretari i Departamentit të Shëndetësisë thotë se rasti i Ugandës tregon për ndikimin e madh që kanë patur reklamat në radio e gazeta që nxisin heqjen dorë nga marrëdhëniet seksuale para martese dhe besnikëri në martesë.

“Ata treguan se nxitja dhe motivimi i njerëzve për të qënë të përgjegjshëm për jetën e tyre, për të shmangur sjelljet që përmbajnë rrezik, mund t’i mbajë njerëzit të sigurtë nga sida”, thotë zoti Thomson.

Zyrtarët botërorë të shëndetësisë po u bëjnë thirrje vendeve të zhvilluara të ofrojnë më shumë burime për të luftuar sidën. Shtimi i fondeve mund të ndihmojë për dy synime në vitin 2005: pakësimi me 25 përqind i të infektuarve të grup-moshës 15 - 24 vjeçare dhe sigurimi i kurave bazë për të paktën 75 përqind të të prekurve në gjithë botën nga virusi.

XS
SM
MD
LG