Lidhje

Intervistë me kandidatin për Kryeministër të Kosovës Ramush Haradinaj - 2004-12-02


Të premten parlamenti i Kosovës pritet të mblidhet për herë të parë që pas zgjedhjeve për të votuar për institucionet e reja qeverisëse. Presidenti Ibrahim Rugova i kërkoi të enjten zyrtarisht Kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj të formojë qeverinë e re. Kandidatura e tij ka ngjallur debate për shkak të hetimeve që po vazhdojnë nga Gjykata e Hagës.

Intervistë e zotit Ramush Haradinaj për Zërin e Amerikës.

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj, e pyetur për rastin tuaj para disa ditësh, Kryeprokuroja e Gjykatës së Hagës Karla del Ponte nuk pranoi të pohonte, ose mohonte në se Haga do të ngrejë akuzë ndaj jush, por tha vetëm se Gjykata po vazhdon hetime ndaj ish drejtuesve të UÇK-së. Prokurorët e Hagës ndërkohë kanë shprehur interes dhe morrën takim me ju. Cili është statusi juaj me Gjykatën e Hagës?

Ramush Haradinaj: Në radhë të parë mendimi im është se nuk ka një rast dhe nuk ka bazë për të ngritur një akt-akuzë. Në adresë time janë bërë akuza për një kohë të gjatë, sidomos nga qeveria e mëparshme e zotit Millosheviç. Unë e kam menduar si një moment të dobishëm ballafaqimin tim me hetuesit e Gjykatës së Hagës për të dhënë shpjegimet e nevojshme dhe për të vërtetuar se cili ka qënë roli im. Unë kam qënë i dyshuar dhe kjo ka qënë përmbajtja e intervistës për periudhën e luftës 1998 - 1999. Kam kryer detyrimin para drejtësisë dhe jam qytetar i Kosovës në përpjekje për të marrë përgjegjësi për të ecur Kosova përpara në agjendën e standarteve dhe të statusit politik.

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj pavaresisht vendimit të Gjykatës së Hagës, zyrtarë të lartë evropianë, si Havier Solana, kanë shprehur shqetësim se ardhja juaj në postin e kryeministrit do të pengojë procesin e standarteve dhe të bisedimeve të pritshme për statusin e Kosovës. Si u përgjigjeni këtyre akuzave?

Ramush Haradinaj: Mendoj se puan që do të bëjmë ne në institucionet e Kosovës duke përfshirë Presidencën dhe Parlamentin, dhe sidomos qeverinë të udhëhequr nga unë, do të dëshmojmë atë që është qëllimi ynë, përparim në Kosovë dhe rezultate në planin e standrteve për Kosovën. Ne nuk do të ndalemi vetëm me kaq, ne nuk kemi iluzione se gjithshka do të jetë lehtë në Kosovë, por kemi Kosovën për ta zhvilluar, për ta bërë shtet të pavarur dhe për të marrë njohjen ndërkombëtare.

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj, në se konfirmoheni në postin e kryeministrit, cilat do te jenë përparësitë e qeverisë tuaj?

Ramush Haradinaj: Ne kemi një plan 6 mujor për realizimin e standarteve dhe kemi bërë të gjitha përgatitjet e duhura deri tani që dita e parë e qeverisë, të udhëhequr nga unë, të jetë ditë pune dhe të fillojë me programin e qeverisë. Ne si përparësi do të kemi planin e standarteve për Kosovën, zhvillimin ekonomik të Kosovës, pra bashkimin e politikave ekonomike që tani janë të shpërndara dhe e them edhe një herë një angazhim, një mobilizim dhe një kulturë qeverisëse që me qeverisjen tonë ta bëjmë Kosovën shtet, përmes rezultateve dhe argumenteve që do t’i arrijmë. Unë jam thellësisht i bindur se këtë do ta arrijmë.

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj, Kosova ndodhet përpara një momenti të rëndësishëm për të ardhmen e saj. Pas rreth 6 muajsh do të bëhet vlerësimi i plotësimit të standarteve dhe ndonëse ato janë të shumta, një ndër me kryesoret dhe që deri tani është arritur pak përparim është kthimi i serbëve dhe gjendja e tyre e sigurisë. Çfarë mund të bëni ju ndryshe nga qeveria e mëparshme dhe a do të jeni në gjendje të bëni më shumë për përfshirjen e pakicës sërbe në jetën e Kosovës?

Ramush Haradinaj: Sikurse didhet ne kemi marrë angazhime dhe qeveria e Kosovës e deritashme ka arritur rezultate po ashtu të mira në këtë drejtim që ia vlen ta theksojmë si p.sh. programi i rindërtimit të shtëpive dhe dëmeve të shkaktuara nga marsi është në përfundim, kanë mbetur vetëm objektet fetare. Ne do të shkojmë më tej në planin për decentralizim në Kosovë, po ashtu në integrimin dhe kthimin e qytetarëve të shpërngulur, por jo vetëm kaq, ne do t’i përfshijmë qytetarët e pakicës serbe në të gjitha veprimtaritë e jetës. Ne kemi projekte të veçanta për strukturat e shëndetësisë që ekzistojnë, për arësimin, për transportin publik, por edhe projekte që kanë të bëjnë me rregullimin e mëtejshëm të një klime të ndërsjellë dhe të sigurisë ku një rol më të madh do të marrë, shërbimi policor i Kosovës dhe trupat mbrojtëse të Kosovës në të ardhmen.

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj Kryeadministratori Soren Jessen Petersen tha sot pas takimeve që pati me udhëheqësit kryesorë politikë shqiptarë se do ta ndjekë më nga afër punën e qeverisë së Kosovës dhe madje mund të kalojë edhe në masa ndëshkimore në se punët atje nuk do të ecin mirë në një ministri apo një tjetër. Po ashtu dy partitë e opozitës, PDK-ja dhe Lëvizja Ora kanë shprehur dyshime mbi qeverinë e ardhshme të Kosovës që do të drejtoni ju. Si mund t’i bindni ju, çfarë garancish mund të jepni se qeveria e re do të jetë e efektshme në punën e saj në të ardhmen, me problemet e shumta me të cilat ndeshet Kosova?

Ramush Haradinaj: Në radhë të parë do të thosha se ne kemi rreth vetes dhe në bashkëpunim, ekspertë të zot vendosrë, institute vendore, por edhe ndërkombëtarë. Janë mekanizma të tëra tani që janë përfshirë në përgatitjen e programit të qevrisë, të prioriteteve që i dalin qeverisë së Kosovës. Unë do të angazhohem personalisht që secili nga ne në qeverinë e Kosovës, por edhe cilado hallkë qeverisëse në Kosovë, ta kuptojë misionin e vet që ka dhe përgjegjësinë që ka marrë dhe domosdoshmërinë që të sjellim rezultate. Unë kam besim në kuadrin, në ata që do të punojnë në institucionet e Kosovës dhe veçanërisht në qeveri se janë të vetëdijshëm se në çfarë periudhe të rëndësishme ndodhemi si Kosovë dhe sa është e domosdoshme që ne t’i arrijmë objektivat që kemi shtruar para vetes. Ne do të kërkojmë ndihmën edhe të opozitës edhe të shoqërisë civile dhe kemi gadishmërinë që të krijojmë hapësirën e nevojshme që opozita të ketë edhe informacionin e duhur edhe të dhënat e duhura, por edhe të ketë transparencë në punën që do të bëjnë institucionet e Kosovës dhe qeveria. Ne do të sigurojmë hapësirë që edhe opozita të ushtrojë rolin e vet të nevojshëm në procesin që ndodhemi. Përsa i përket qëndrimeve të Kryeadministratorit, zotit Petersen, mund t’ju them se unë kam besim të plotë në angzhimin e tij. Ne kemi raporte të mira pune dhe unë nuk mendoj se do të ndodhen shqiptarët në pozitë që të ndërhyjë në qeverisjen në Kosovë, por në rast se do të ketë nevojë, ka një gadishmëri të partnerëve të koalicionit, të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të Aleancës por edhe të partive të tjera që ne nuk do të bëjmë kompromis me objektivat që kemi, me agjendën që kemi dhe do të dalim të suksesshëm.

XS
SM
MD
LG