Lidhje

Kina liron një të burgosur politik - 2004-12-03


Pas më shumë se 12 vjetësh, Liu Gjingshengu u liria nga burgu në Kinë. Zoti Liu u burgos në maj të vitit 1992. Ai u dënua pas një gjyqi të fshehtë në vitin 1994 nën akuzat për ato që qeveria kineze i cilëson si veprimtari kundërrevolucionare. Megjithëse ligji, sipas të cilit e ashtuquajtura veprimtari kundërrevolucionare dënohet si krim, është shfuqizuar që nga viti 1997, shumë prej atyre që janë dënuar në bazë të këtij ligji vazhdojnë të mbahen në burg.

Mes veprimtarive të zotit Liu janë shkrimi dhe shtypja e fletushkave politike gjatë përvjetorit të tretë të demonstratave të vitit 1989 në Sheshin Tianamen të Pekinit. Zoti Liu, tani në moshën 50 vjeçare, ka ngritur prej kohësh zërin për liri në Kinë. Duke filluar nga lëvizja Muri i Demokracisë e viteve 1978 dhe 79, ai ndihmoi në redaktimin e një gazete pro demokracisë, e titulluar Tansuo ose Eksplorimi.

Lajmi për lirimin e Liu Gjingshengut është i mirëpritur. Por ky zhvillim tërheq vëmendjen ndaj shumë veprimtarëve të demokracisë, udhëheqësve të lëvizjes punëtore, gazetarëve dhe të tjerëve që janë burgosur në Kinë për arsye politike. Mes tyre janë një numër personash të arrestuar në lidhje me protestat në Sheshin Tianamen. Demostratat paqësore pro demokracisë u shtypën nga ushtria kineze në qershor të vitit 1989. Autoritetet në Kinë arrestojnë çdo vit njerëz që përpiqen të përkujtojnë ngjarjet e Tiananmenit.

Nëse Kina dëshiron të vazhdojë përparimin, qeveria e saj duhet të fillojë të respektojë të drejtat e popullit kinez në përputhje me normat e pranuara ndërkombëtare. Zëvëndës-zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Adam Ereli, foli rreth këtyre të drejtave: “E drejta e qytetarëve për të pasur zë në procesin e marrjes së vendimeve qeveritare që ndikojnë jetën e tyre, e drejta për të zgjedhur udhëheqësit e tyre, për të jetuar në një vend të qeverisur nga ligji dhe e drejta për të folur dhe shkruar lirisht, për të shprehur pikëpamjet e tyre pa frikën e ndjekjes penale.”

Të gjithë të burgosurit e tillë të ndërgjegjes, jo vetëm Liu Gjingshengu, meritojnë të lirohen. “Dëshira për liri, tha nënpresidenti amerikan Dik Çeni gjatë një fjalimi në Shangai nga fillimi i këtij viti, është universale, është diçka që shoqëritë e suksesshme kanë mësuar ta përqafojnë dhe jo të frikësohen prej saj.”

XS
SM
MD
LG