Lidhje

"Si duhet t’i trajtojë OKB-ja çështjet globale të shekullit të 21-të" - 2004-12-03


Një vit më parë, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Annan caktoi një komision të nivelit të lartë për rekomandime se si duhet t’i trajtojë organizata ndërkombëtare çështjet globale të shekullit të 21-të. Dje ky komision publikoi një raport me 101 rekomandime për ndryshime në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Nndryshimet kanë karakter kulturor dhe institucional dhe synojnë të forcojnë dhe të riorganizojnë disa organe të OKB-së në mënyrë që Organizata të jetë në gjendje të përballojë më mirë sfidat aktuale. Ndryshimet në këtë organizatë janë propozuar edhe më parë, por asnjëherë tjetër nuk ka pasur një trysni kaq të madhe sa tani.

Me themelimin e OKB-së në vitin 1945, 5 vendeve iu dhanë antarësim i përhershëm në Këshillin e Sigurimit: Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Kinës, Rusisë dhe Francës. Gjatë dy dekadave të fundit, megjithëse zgjerimi i Këshillit të Sigurimit ka qenë objekt debatesh, vende të tjera nuk kanë arritur të bëhen anëtare të përhershme. Por kjo situatë do të ndryshojë së shpejti. Komisioni i Nivelit të Lartë, mbi Kërcënimet, Sfidat dhe Ndryshimet, ka propozuar dy rekomandime që do ta rrisnin numrin e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit nga 15 deri në 24 vende anëtare, dhe ndoshta për t’i bërë të përhershme disa nga këto vende. Ish-kryeministri i Tajlandës Anand Panjarachun, i cili drejtoi komisionin, thotë se raporti nuk identifikon vende të veçanta që duhet të bëhen anëtare të përhershme në Këshillin e Sigurimit; Gjermania, Japonia, Brazili, India dhe Afrika e Jugut, janë përmendur, por ai thotë se duhet të bëhen ndryshime.

“Mendoj se duhet të shqyrtojmë mundësinë që organizatat më të rëndësishme brenda sistemit të Kombeve të Bashkuara, si Asambleja e Përgjithshme dhe Këshilli i Sigurimit, duhet të pasqyrojë realitetin e tanishëm, ashtu sikurse edhe faktorin gjeografik.”

Anëtarja e Komsionit, Dr. Gro Harlem Brundland, thotë se një tjetër fushë ku nevojiten reformat, është aftësia e Kombeve të Bashkuara për të vepruar me shpejtësi në kohë krizash, si në rastin e Darfurit në Sudan. Ajo thotë se raporti gjithashtu rekomandon krijimin e një organi të ri të OKB-së, për identifikimin e vendeve që janë në rrezik për konflikte me dhunë, të shkaktuara nga varfëria, epidemitë dhe luftrat civile.

Debatet lidhur me efektivitetin e Kombeve të Bashkuara, apo mungesën e tij, u evidentuan përsëri kur u diskutua çështja se ç’duhet bërë me Irakun. Administrata e presidentit Bush e ndjeu se Kombet e Bashkuara po ngurronin, prandaj zgjodhi ndërhyrjen në Irak, ndërsa vende të tjera e dënuan paaftësinë e OKB-së për parandalimin e luftës në Irak. Komisioni bën rekomandime vetëm kur është fjala se kur duhet të përdorin forcën Kombet e Bashkuara.

Rick Barton, specialist për çështjet e OKB-së, në organizatën studimore Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, thotë se komisioni i tejkaloi parashikimet e tij. Ai thotë se në se zbatohen rekomandimet e raportit, do të marrin fund pikëpyetjet lidhur me efektivitetin e oragnizatës ndërkombëtare.

Është ende herët të thuhet se cilat nga rekomandimet e Komisionit ka më shumë të ngjarë të vihen në zbatim, por shumë analistë theksojnë që reformat në Organizatën e Kombeve të Bashkuara janë të pashmangshme në mënyrë që të ruhet vleshmëria e kësaj organizate.

//ze//

XS
SM
MD
LG