Lidhje

Për analistët, karakteri i regjimit në Iran ka më shumë rëndësi, sesa ambiciet bërthamore të tij - 2004-12-06


Megjithëse shumë vende të botës kanë shprehur shqetësim se Irani mund të bëhet fuqi bërthamore, disa analistë rekomandojnë që situata gjeostrategjike e këtij vend të shikohet në një këndvështrim më të gjerë. Sipas pikëpamjes së tyre, karakteri i këtij regjimi në vetvete është më i rëndësishëm se sa armët që zotëron ai. Ed Warner i Zërit të Amerikës na njeh me pikëpamjet e ndryshme që kanë dy analistë të njohur të çështjeve iraniane.

Regjimi i mullahëve është në prag të shembjes, thotë analisti Assad Homayoun. Prandaj, sipas tij, atij i duhet dhënë sa më parë shtytja për ta rrëzuar.

Zoti Homayoun është udhëheqës opozitar iranian në Shtetet e Bashkuara dhe burimet e informacionit që ai ka nga brenda Iranit nuk krahasohen me askënd tjetër. Ai nuk ka durim ndaj përpjekjeve për të bërë kompromis me qeverinë e Teheranit.

Perëndimorët, thotë ai, mashtrohen nga imazhi i reformistëve të cilët janë të lidhur me Presidentin e vendit Khatami. Këta reformistë, sipas tij, janë të paefektshëm, prandaj e ardhmja e Iranit nuk janë këta njerëz por koalicioni në rritje i forcave laike nacionaliste që favorizojnë demokracinë.

“Mendoj se zgjidhja është në duart e popullit iranian por populli iranian ka nevojë për mbështetje. Shtetet e Bashkuara duhet të dalin hapur dhe fuqimisht në mbështetje të popullit iranian. Presidenti Bush i ka përkrahur iranianët më parë por zëra të ndryshëm që vijnë nga struktura të ndryshme të administratës po krijojnë konfuzion midis iranianëve”. Zoti Homayoun mendon se përhapja e fondamentalizmit islamik e ka burimin te regjimi iranian. Heqja e këtij regjimi, thotë ai, do të ndalte njëkohësisht edhe përhapjen e terrorizmit.

“Asgjë nuk do të jetë paqësore në Lindjen e Mesme nëse qeveria iraniane nuk ndryshon qendrim por ndryshim qendrimi do të thotë ndryshim i qeverisë nga teokratike në një qeveri laike dhe demokratike”. Zoti Homayoun thotë se Teherani i kërkon armët bërthamore jo dhe aq për të kërcënuar vendet e tjera se sa për të fituar mbështetje të brendshme për regjimin e lëkundur. Duke cituar analistin e Uashingtonit, Yossef Bodansky, ai mendon se në fakt Irani ka arritur të sigurojë mbushje bërthamore nga rajonet myslimane të ish Bashkimit Sovjetik dhe ndoshta edhe nga Koreja e Veriut.

Ai e përjashton një alternativë ushtarake për zgjidhjen e problemit iranian. Një sulm ndaj Iranit, thotë ai, do të kishte pasoja të paparashikueshme. Nga ana tjetër, sipas analistit, ndryshimi duhet të vijë nga brenda, i painfektuar nga ndihma e jashtme materiale.

Ndërsa analisti i problemeve ndërkombëtare pranë Institutit CATO, Leon Hadar, thotë se përqendrimi i tepërt i vemendjes tek potenciali bërthamor i Iranit, i bën politikanët të mos e shohin qartë tablonë e përgjithshme. “Është e qartë se Irani, ashtu si shumë fuqi të tjera të mesme të botës si Turqia, Brazili e kështu me radhë, do të vijë dita kur, për shkak të shumë faktorëve në të ardhmen do të arrijnë të sigurojnë armë bërthamore. Kjo nuk ka të bëjë fare me pushtetin e radikalizmit islamik në Iran”. Zoti Hadar thotë se Irani ndodhet në një rajon të vështirë ku ka edhe fuqi të tjera bërthamore, si India, Pakistani, Rusia, Izraeli dhe tani Shtetet e Bashkuara në Irak. Armët bërthamore, thotë ai, mund të mos jenë dhe aq të këqia. Ka mundësi, thotë analisti, që pikërisht këto armë bënë që India dhe Pakistani të mos hynin në luftë frontale për Kashmirin. Kostoja e kësaj lufte do të kishte qenë tepër e lartë. Ai shton se një baraspeshë e fuqisë bërthamore po ashtu mund të kishte ndikim stabilizues në Lindjen e Mesme.

Pavarësisht nga armët, thotë zoti Hadar, tani mund të ketë ardhur koha që Shtetet e Bashkuara të fillojnë të bisedojnë me Iranin.

Ai thotë se konservatorët që aktualisht kanë pushtetin në Iran, mund të jenë në pozitë më të favorshme se sa të moderuarit për të arritur një farë mirëkuptimi me Shtetet e Bashkuara. Ata nuk mund të akuzohen se janë treguar të butë me Amerikën.

XS
SM
MD
LG