Lidhje

Presidenti i parë afgan i zgjedhur në mënyrë demokratike Karzai bëri betimin - 2004-12-06


Presidenti i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike i Afganistanit, Hamid Karzai, bëri betimin nën masa të forta sigurie në Kabul. Në fjalimin e tij përurues zoti Karzai falenderoi Shtetet e Bashkuara, OKB-në dhe komunitetin ndërkombëtar për mbështetjen e tyre. Fjalimi i tij u prit me brohoritje.

Mes të ftuarve të pranishëm në ceremoni ishin nën presidenti amerikan Dick Cheney dhe sekretari i mbrojtjes Donald Rumsfeld. Zoti Rumsfeld u tha sot trupave amerikane në Afganistan se operacionet ushtarake nuk kanë përfunduar ende dhe se liria ka ende armiq në këtë vend.

Në një konferencë shtypi, nën presidenti Cheney vlerësoi lart zotin Karzai dhe premtoi vazhdimin e ndihmave për Afganistanin, pavarësisht nga problemet me të cilat ndeshet ky vend.

Rusia po ashtu e përshëndeti përurimin e presidentit të ri duke thënë se kjo shënon fillimin e krijimit të një Afganistani të bashkuar, të pavarur dhe demokratik.

Hamid Karzai, është një udhëheqës, i cili mori pjesë në çdo hap gjatë futjes së vendit të tij në rrugën e demokracisë.

Ndërsa e drejtoi Afganistanin që nga rrënojat e luftës drejt zgjedhjeve të para presidenciale të vendit, ai zbatoi aftësitë që i kishte fituar nga lufta kundër pushtimit sovjetik dhe pasi u kalit në politikën afgane me plot të papritura.

Ai jetoi në mërgim në Pakistan gjatë viteve të pushtimit sovjetik gjatë regjimit taleban nga viti 1996 deri në vitin 2001. Por të dyja herët, ai i ra kryq e tërthor kufirit, herën e parë për të koordinuar luftën kundër sovjetikëve dhe herën e dytë për të nxitur revoltën kundër fondamentalistëve islamikë të talebanëve.

Ai njihet si një njeri që ka synuar unitetin e vendit. Ai e konsideron veten afgan më parë, se sa pashtun dhe flet rrjedhshëm si gjuhën dari, edhe atë pashto.

I lindur në vitin 1957, në qytetin e Kandaharit, ai studjoi për shkenca politike në Indi dhe për gazatari në Francë.

Zoti Karzai tani jeton i izoluar në pallatin presidencial, i rrethuar nga roje amerikane. Ai është i martuar me një mjeke, Zenat Karzai dhe përlqen të meret me alpinizëm, vrapim me kuaj dhe preferon muzikën klasike.

//ze//

XS
SM
MD
LG