Lidhje

Gazetaria dhe e drejta për t'i mbajtur burimet të fshehta - 2004-12-07


Këtë javë, tre gazetarë amerikanë mund të marrin dënime me burg, sepse nuk kanë pranuar t’i tregojnë një gjykatësi burimin qeveritar që u ka dhënë atyre informacione sekret. Disa gazetarë thonë se kështu po cënohen garancitë që përcakton kushtetuta për lirinë e shtypit dhe të fjalës.

Kjo është një videokasetë e një këshilltari të ish-Kryetarit të Bashkisë së Providencës së shtetit Rhode Island, duke pranuar një rryshfet. Gazetari Jim Taricani thotë se stacioni televiziv ku ai punon e transmetoi atë në interes të publikut.

“Ne menduam në televizionin tonë dhe unë ende e besoj një gjë të tillë, që t’ua tregosh njerëzve në video se çfarë pamje ka korrupsioni publik, ishte diçka që publiku duhet ta dinte”.

Kaseta u transmetua para se të zhvillohej një gjyq për korrupsion për Kryetarin e Bashkisë Buddy Ciainci dhe pasi një gjykatës kishte vendosur që ajo të mos shfaqej.

Zoti Taricani nuk pranoi t’i thoshte një gjykatësi federal se kush ia kishte dhënë kasetën, duke argumentuar se i duhej të mbronte një burim konfidencial.

Gjykatësi e shpalli gazetarin fajtor për mosrespektim të trupit gjykues. Ish-prokurori amerikan Joseph di Genova thotë se ishte e drejta e gjykatësit ta bënte një gjë të tillë.

“Bëhej fjalë për shkelje të vendimit që kaseta të mos shfaqej derisa të mbyllej çështja dhe gjykata të kishte dhënë urdhër”.Zoti di Genova shpjegon se Jim Taricani ishte dëshmitar i një vepre penale dhe nuk ka të drejta të veçanta që të mos i japë informacion prokurorit të çështjes.

Avokati që i kishte dhënë kasetën Jim Taricanit doli vetë në publik, por tha se nuk kishte kërkuar ndonjë garanci për konfidencialitet. Zoti Taricani kundërshton.

“Unë kurrë nuk do të kisha vënë në rrezik shëndetin, reputacionin, familjen time dhe nuk do ta kisha futur kompaninë time në këtë situatë, nëse burimi im nuk do të kishte kërkuar që të mos e përmendja emrin e tij”.

Është një praktikë normale në gazetarin amerikane, që gazetarët t’u premtojnë burimeve që nuk do ta shfaqin identitetin e tyre, në këmbim të informacioneve delikate. Dy gazetarë të tjerë rrezikojnë të marrin dënime me burg këtë javë, pasi nuk kanë pranuar që t’i japin gjykatësit informacion që ata e konsiderojnë konfidencial.

Në këtë rast bëhet fjalë për emrin e një agjenteje të CIA-s, identiteti i së cilës mund t’i jetë treguar shtypit, por një nga gazetarët as nuk ka shkruar ndonjë artikull për agjenten.

Vitin e kaluar, analisti Robert Novak nxorri emrin e saj dhe tha se informacionin ia kishin dhënë dy “zyrtarë të lartë të administratës”. Zoti Novak nuk është thirrur në gjyq.

Në vitet 1970, Gjykata e Lartë vendosi që edhe nëse një artikull nuk botohet, gazetarët si çdo qytetar tjetër, duhet të japin informacion para një jurie.

Sipas vendimit të Gjykatës së Lartë, kjo nuk shkel të drejtat e lirisë së shtypit dhe të fjalës, të garantuar nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës amerikane.

Prokurori Joseph di Genova thotë se rastet që u paraqitën në Gjykatën e Lartë në vitet 1970, përcaktuan të drejtën e gjykatës për të kërkuar informacion që ajo e konsideron thelbësor.

“Në të gjitha ato raste, gjykata vendosi se gazetarët nuk kanë privilegj sipas kushtetutës dhe veçanërisht sipas Amendamentit të Parë që të mos pranojnë të bëjnë publike burimet, kur urdhërohen nga gjykata”.

Por Charles Lewis, Drejtor i Qendrës për Integritet Publik në Washington ky rast nuk është aq i thjeshtë.

“Nuk ndodh shpesh një prokurorët të merren me gazetarët. Në Shtetet e Bashkuara nuk bëhet një gjë e tillë. Ka një hapësirë mes publikes dhe privates. Sipas mendimit tim, kjo është një përpjekje për ta shfaqur si një hetim për nxjerrjen e një informacioni sekret, por është shumë më tepër se kaq. Është kthyer në një gjueti shtrigash kundër medias”.

“Në fakt të krijohet përshtypja se shumë gazetarëve po u kërkohet të paraqiten në gjyq. Mendoj se ky është vetëm një aksident në këtë moment në histori. Shumë gjëra po ndodhin tani dhe disa njerëz janë vënë nën vëmendjen e disa prokurorëve në gjithë vendin”.

Charles Lewis thotë se gjithmonë ka tensione mes zyrtarëve të qeverisë dhe gazetarëve, por që pas sulmeve të 11 shtatorit kundër Shteteve të Bashkuara, gjendja është keqësuar.

“Mendoj se shumë gazetarë ndjehen të kontrolluar”.

Senatori Christopher Dodd ka propozuar një ligj për mbrojtjen e gazetarëve, sepse siç shprehet ai “po vihet në shënjestër e drejta e publikut për informim”.

//ze//

XS
SM
MD
LG