Ministrat e Jashtëm të Natos që po takohen në Bruksel ranë dakort që Aleanca të shtojë forcën e saj stërvitore për çështjen e sigurië së Irakut.
Sekretari i Përgjithshëm i Natos Jaap de Hoop Scheffer tha se numri i personelit do të shtohet nga niveli i tanishëm prej 60, në 300 oficerë. Ai tha se disa vende, përfshi Poloninë, Hungarinë dhe Hollandën kanë ofruar të dërgojnë trupa.
Sekretari amerikan i Shtetit Colin Powell në takimin e tij të fundit në Nato para se të largohet, shprehu zhgënjim që vende të tjera si Franca dhe Gjermania kanë refuzuar të kontribuojnë. Franca dhe Gjermania thanë se nuk duan që Aleanca të marrë misione paqeruajtëse në Irak.
Në një takim të veçantë, ministrat e Natos dhe Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, u bënë thirrje ukrainasve të punojnë për të siguruar një proces të lirë dhe të drejtë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
Ndërkohë, Presidenti Bush do të udhëtojë për në Evropë në muajin shkurt për bisedime me zyrtarë të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, ndërkohë që presidenti fillon mandatin e dytë në Shtëpinë e Bardhë. Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë thotë se programi i vizitës së presidentit me 22 shkurt përfshin bisedime me kryetarët e shteteve anëtare të NATO-s, zyrtarë të lartë të Komisionit Evropian si dhe kryeministrin belg Guy Verhofstadt. Zëdhënësi e quajti udhëtimin e presidentit një përpjekje për të forcuar bashkëpunimin në luftën kundër terrorizmit.
Ndërkohë Sekretari i Shtetit, Colin Powell, tha në Bruksel se vizita e shkurtit është një përpjekje për të rindërtuar lidhjet e dobësuara nga mosmarrëveshjet rreth luftës së udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak.