Lidhje

Gjykata e Lartë e Ukrainës shpall të pavlefshëm raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale - 2004-12-10


Gjykata e Lartë e Ukrainës shpalli të pavlefshme rezultatet e raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale që u zhvilluan më 21 nëntor. Gjykata arriti përfundimin se votimi ishte njollosur nga manipulime dhe mashtrime në shkallë të gjerë. Si rrjedhim, gjykata urdhëroi zhvillimin e një randi tjetër më 26 dhjetor. Gjasat janë që Kryeministri Viktor Janukoviç, të cilin Komosioni Qendror i Zgjedhjeve e shpalli fitimtar të raundit të dytë të votimit, dhe kandidati i opozitës, Viktor Jushçenko, do të përballen përsëri në raundin e ardhshëm.

Gjykata e Lartë tha gjithashtu se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shkeli ligjet dhe bëri thirrje për fillimin e hetimeve rreth parregullsive në zgjedhje dhe për ndjekjen penale të fajtorëve.

Vendimi i gjykatës së lartë të Ukrainës u përshëndet nga shumë ukrainas dhe të tjerë në gjithë botën. Mes tyre është Mikolla Katerinçuk, avokati i zotit Jushçenko: “Mesazhi i gjykatës për Ukrainën është që në këtë vend ekzistojnë ligje dhe se të gjith ata që shkelin ligjin dhe bëjnë diçka të paligjshme, do të ndëshkohen.”

Edhe Shtetet e Bashkuara e përshëndesin vendimin e gjykatës së lartë të Ukrainës, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Riçard Bauçer: “Ne përshëndesim vendimin e gjykatës së lartë për të shpallur të pavlefshme rezultatet e votimit të 21 nëntorit, duke u mbështetur në të dhëna për parregullsi dhe mashtrim në shkallë të gjerë. Ajo që është e rëndësishme tani, tha zoti Bauçer, është të ecet përpara pa nxjerrë pengesa, ashtu siç ka bërë thirrje gjykata e lartë, për të siguruar që raundi i ri i votimit të jetë i drejtë, i lirë dhe që rezultatet të pasqyrojnë vullnetin e popullit të Ukrainës.”

Më 24 nëntor, pasi rezultatet tani të zhvleftësuar të votimit u bë publike, përkrahësit e kandidatit të opozitës, Viktor Jushçenko, u hodhën në protesta. Gati dhjetë mijë përkrahës të opozitës vazhdojnë të qendrojnë nëpër rrugët e Kievit. Shumë prej tyre kërkojnë t’i vazhdojnë protestat derisa të përmbushen kërkesat e paraqitura nga gjykata e lartë për zhvillimin e raundit të ri të zgjedhjeve presidenciale. Parlamenti ende nuk ka miratuar reformat elektorale që do të ndihmonin për të siguruar zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të drejta më 26 dhjetor.

Ukrainasit po kërkojnë lirinë të vendosin vetë se kush të jetë presidenti i tyre. “Ne shpresojmë, tha Sekretari amerikan i Shtetit, Kolin Pauëll, se raundi i ri i zgjedhjeve presidenciale dotë jetë i lirë, i drejtë, i hapur dhe i drejtuar si duhet në mënyrë që të mos ketë pikë dyshimi rreth vleftshmërisë së rezultateteve.”

XS
SM
MD
LG