Lidhje

Nato-ja do të vazhdojë angazhimin në Ballkan - 2004-12-10


Një ekspert i çështjeve të sigurisë dhe marrëdhënieve euro-atlantike tha për Zërin e Amerikës, se NATO-ja do të vazhdojë angazhimin në Ballkan, derisa të realizohet integrimi euro-atlantik i këtij rajoni. Presidenti i Shoqatës së Traktatit të Atlantikut, ish-ambasadari amerikan në NATO, Robert Hunter, tha se trupat e aleancës janë të domosdoshme në Kosovë gjatë bisedimeve për statusin përfundimtar.

Zëri i Amerikës: Ambasador Hunter, si e shihni të ardhmen e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës dhe çfarë roli mendoni se mund të luajë NATO-ja në rregullimin e marrëdhënineve mes Amerikës dhe Evropës. Si mendoni se do të ndikojë vizita e Presidentit Bush në shkurt për rregullimin e këtyre marrëdhënieve?

Robert Hunter: Unë besoj se Amerika dhe aleatët e saj evropianë, nuk kanë asnjë rrugë tjetër përveç bashkëpunimit. Ne kemi aq shumë interesa dhe vlera të përbashkëta, përfshirë ato në Lindjen e Mesme dhe nëse të gjithë bëjnë atë që duhet, ne do t’i kapërcejmë mosmarrëveshjet e së kaluarës, çka do të thotë që evropianët duhet të ndihmojnë në Lindjen e Mesme, përfshirë Irakun. Do të thotë që Shtetet e Bashkuara duhet të përshtasin politikën e tyre, duke u angazhuar më shumë në çështje si procesi i paqes mes Izraelit dhe palestinezëve. Dhe sigurisht që një moment shumë i rëndësishëm do të jetë vizita e Peresidentit Bush në Evropë në shkurt. NATO-ja vazhdon të jetë thelbësore si për Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe për Evropën, jo vetëm për të çuar deri në fund planet e shekullit të 20-të në Evropë, në mënyrë që të mos ketë kurrë më luftë në atë pjesë të botës, por edhe për t’u bërë ballë kërcënimeve të reja të sigurisë dhe sfidave dhe mundësive përtej Evropës, veçanërisht në Lindjen e Mesme. Kështu që unë mendoj që NATO-ja do të jetë po aq e rëndësishme në të ardhmen, sa ç’ka qenë në të kaluarën.

Zëri i Amerikës: Në Asamblenë e Përgjithshme të Shoqatës së Traktatit të Atlantikut, në Romë javën e kaluar, Sekretari i Përgjithshëm i Alancës zoti Scheffer tha se megjithëse NATO-ja ka synimin që ta shtrijë misionin e saj edhe përtej kufijve të Evropës, në zona të tjera konflikti, angazhimi i NATO-s në Ballkan, por do të zgjerohet dhe do të thellohet edhe më tepër. A shihni një kontradiktë në këtë drejtim? Si është e mundur që me detyrime të tjera jashtë kufijve të Evropës, angazhimi në Ballkan të mbetet i njëjti. A ka rrezik që ai të bjerë?

Robert Hunter: Unë pata nderin ta prezantoj Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s në Asamblenë e Shoqatës së Traktatit të Atlantikut dhe një ditë më pas, ai shkoi në Sarajevë për të dorëzuar komadën e forcës paqeruajtëse të NATO-s tek forca e re e Bashkimit Evropian në Bosnje. NATO-ja sigurisht vazhdon të jetë në Kosovë dhe ndihmon përpjekjet e Bashkimit Evropian në Maqedoni. Nuk ka diskutim që Shtetet e Bashkuara, Evropa, NATO-ja, Bashkimi Evropian do të vazhdojnë angazhimin në Ballkan, veçanërisht në ish-Jugosllavi, derisa të përfundojnë atë që kanë nisur. NATO-ja po bën përpjekje për integrimin e të gjitha vendeve, vendet që dolën nga konfliktet e ish-Jugosllavisë dhe vende të tjera si Shqipëria, që ato të integrohen plotësisht në institucionet euro-atlantike.

Zëri i Amerikës: Si mund të ndihmojë NATO-ja në integrimin e ketyre vendeve të Ballkanit, si Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia në strukturat euro-atlantike dhe synimi i këtyre vendeve për t’u anëtarësuar në këto struktura a ndihmon në demokratizimin dhe në thellimin e reformave të këtyre vendeve?

Robert Hunter: NATO-ja e ruajti paqen në Bosnje për 9 vjet dhe në Kosovë për 5 vjet, kështu që ka ardhur koha që misionet atje të ndërrojnë drejtim. Dhe në fakt është koha që të shtohet përgjegjësia për një organizatë joushtarake siç është Bashkimi Evropian, që të vazhdojë më tej me punën për transformimin e këtyre shoqërive që në thelb është përgjegjësi e vetë këtyre vendeve, por ku ne, komuniteti ndërkombëtar mund të japim ndihmën tonë. E kam fjalën për transformimin ekonomik, por edhe atë politik si edhe për konsolidimin e demokracisë, ku NATO-ja ka ndihmuar për të krijuar bazën nga e cila të nisen popujt e të gjitha këtyre vendeve të marrin në dorë jetën e tyre. Në takimin e Romës, morën pjesë presidentët e tre vendeve nga rajoni, Maqedonisë, Kroacisë dhe Shqipërisë, që po bëjnë përpjekje për t’u anëtarësuar në NATO. Dhe shanset janë që kjo do të ndodhë me vende të lira dhe demokratike dhe në të ardhmen të begata. Ato po ecin në drejtimin e duhur dhe sinqerisht është e befasueshme se çfarë është bërë në një periudhë prej 15 vjetësh, që po ta masësh duke patur paraqysh historinë e Ballkanit, është një periudhë shumë e shkurtër.

Zëri i Amerikës: Ministrat e vendeve pjesëmarrëse në NATO, theksuan sot në Bruksel nevojën që trupat paqeruajtëse të NATO-s të qëndrojnë në gjendje gadishmërie në Kosovë, gjatë këtij viti, kur mbahen bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës. Pse mendoni një kërkesë e tillë?

Robert Hunter: Duhet të mos harrojmë konfliktin që ndodhi në Kosovë, në fillim spastrimin etnik, pastaj ndërhyrjen e NATO-s dhe dëbimi i afro 1 milionë vetëve nga regjimi i atëhershëm i Millosheviçit. Kështu që marrëdhëniet janë ende të acaruara. Inatet dhe urrejtja nuk janë çrrënjosur dhe në kohën që diskutohet për një zgjidhje për statusin e Kosovës, qoftë nëse do të mbetet në Serbi dhe Malin e Zi, apo nëse merr autonominë, apo pavarësinë, apo nëse do të ketë ndonjë status me një marrëdhënie të veçantë me Shqipërinë, është shumë e rëndësishme që komuniteti ndërkombëtar të jetë i pranishëm, në mënyrë që luftimet, vrasjet, vuajtjet të mos rifillojnë. Dhe pas kësaj, mendoj që edhe vendasit edhe komuniteti ndërkombëtar duhet të vendosin se cila do të jetë e ardhmja e Kosovës, në mënyrë që njerëzit atje, të vashdojnë të jetojnë të ardhmen e tyre, të shohin nga e ardhmja dhe jo të kaluarën.

XS
SM
MD
LG