Lidhje

Ekspertët: Përpjekjet kundër pastrimit të parave ende të pamjaftueshme - 2004-12-15


Pastrimi i parave është kthimi i të ardhurave të realizuara me mjete të paligjshme në pasuri të cilave është e vështirë t’u gjendet origjina e krimit. Disa nga aktivitetet kriminale që shoqërohen me pastrim parash janë trafiku i drogës, financimi i terrorizmit dhe përvetësimi i fondeve publike. Në një studim të ri thuhet se përpjekjet ndërkombëtare kundër pastrimit të parave janë tepër të pamjaftueshme.

Instituti i Ekonomisë Ndërkombëtare me qendër në Uashington thotë se fushata globale kundër pastrimit të parave, megjithëse është zgjeruar mjaft, ka patur suksese minimale.

Ted Truman, ish zyrtar i Rezervës Federale që është bashkëautor i raportit, thotë se komunitetit ndërkombëtar i mungon një strategji e përbashkët për të luftuar pastrimin e parave, strategji që mund të binte ndesh me rregullat e vendeve të ndryshme.

"Është më e lehtë të dërgosh para nga njëra anë e kufirit në tjetrën se sa të dërgosh policë, nëse mund të shprehemi kështu. Kjo është njëra ndër arësyet që pavarësisht se ku ndodhesh, nëse dëshiron të pastrosh të ardhurat e krimit, këtë mund ta bësh duke i dërguar ato në anën tjetër të kufirit."

Zoti Truman thotë se, nga të gjithë vendet e botës, Shtetet e Bashkuara janë më aktivet në përpjekjet për të luftuar pastrimin e parave. Por, sipas bashkëautorit të raportit, Peter Reuter, Shtetet e Bashkuara ndjekin ligjërisht çdo vit vetëm 2 mijë raste pastrimi parash; prej tyre shpallen fajtorë rreth 1,500 persona.

Kjo nënkupton se vetëm 5 përqind e personave që merren me pastrim parash futen në burg. Në Evropë, përpjekje të tilla thuajse nuk ekzistojnë fare. Vitin e kaluar, në Britani pati vetëm 38 persona të shpallur fajtorë për pastrim parash, kurse në Gjermani, akoma më pak. Zoti Reuter thotë se megjithëse askush nuk e di se sa para pastrohen çdo vit në botë përmes bankave, kjo shifër mund të arrijë në 700 miliard dollarë.

Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar u është ngarkuar një rol i rëndësishëm në luftën kundër pastrimit të parave. Autorët e raportit thonë se Shtetet e Bashkuara, si vend me veprimtari financiare intensive, duhet t’i kërkojnë këtyre dy institucioneve që të analizojnë se si po i zbaton Uashingtoni standardet globale të luftës kundër pastrimit të parave.

Rekomandimi kryesor i autorëve është që pastrimi i parave i lidhur me krime në vende të tjera, të mund të ndiqet penalisht në çdo vend të botës. Ata propozojnë gjithashtu që evazioni fiskal në vende të huaja t’i shtohet listës së krimeve që mund të çojnë në ndjekje penale për pastrim parash në Shtetet e Bashkuara dhe në vende të tjera.

XS
SM
MD
LG