Lidhje

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë hedh poshtë aktpaditë ndaj Natos - 2004-12-15


Gjykata ndërkombëtare e Drejtësisë hodhi poshtë një akt padi të paraqitur nga Serbia dhe Mali i Zi, e cila akuzon 8 vende anëtare të Natos për gjenocid lidhur me fushatën ajrore të vitit 1999 kundër Jugosllavisë.

Gjykata me seli në Hagë, organi më i lartë gjyqësor i Kombeve të Bashkuara vendosi sot se nuk ka juridiksion mbi këtë çështje. Gjykata tha se në kohën e sulmeve, Bashkimi Serbi - Mali i Zi nuk ishte anëtar i Kombeve të Bashkuara, prandaj edhe nuk përfshihej nga statuti i gjykatës.

Gjykata mori njëzëri vendimin në përgjigje të ankesës së Beogradit ndaj Belgjikës, Britanisë, Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Holandës dhe Portugalisë.

Natoja ndërmori fushatën ajrore në përgjigje të krizës në Kosovë, duke i detyruar forcat serbe dhe jugosllave të tërhiqeshin nga Kosova.

Ministri i Jashtëm i Malit të Zi theksoi vendosmërinë e republikës malazeze për t’u përfshirë në institucionet euro-atlantike si një shtet i pavarur.

Miodrag Vlahoviç tha në një konferencë për shtyp për Zërin e Amerikës sot në Washington se Mali i Zi është i vendosur të përfshihet në Nato dhe organizata të tjera evropiane.

Ai tha gjithashtu se Mali i Zi nuk mund të mbahet përgjegjës për dështimet dhe mangësitë, siç u shpreh ai, në përmbushjen e kërkesave të Gjykatës së Hagës nga Serbia. Gjykata ka akuzuar autoritetet serbe për mungesë bashkëpunimi në përpjekjet për të gjetur dhe arrestuar personat e dyshuar si kriminelë.

Mali i Zi dhe Serbia janë partnerë të një bashkimi që mund të shpërbëhet nëse Mali i Zi mbështet me referendum pavarësinë. Zoti Vlahoviç tha se Mali i Zi ka në plan të zhvillojë referendum në vitin 2006, nëse, siç u shpreh ai, nuk gjendet ndonjë zgjidhje tjetër për të modifikuar partneritetin me Serbinë.

XS
SM
MD
LG