Në një deklaratë për shtyp, që lëshoi sot, organizata e të drejtave të njeriut Amnesty International, thotë se autoritetet shqiptare duhet patjetër të zbulojnë se si një fëmijë 17 vjeçar u plagos aq rëndë sa humbi jetën ndërkohë që mbahej nën arrest, dhe të nxjerrin para drejtësisë personat përgjegjës për vdekjen e tij.
Amnesty International shpreh shqetësimin e saj të thellë për dështimin e autoriteteve shqiptare të prokurorisë dhe drejtësisë që të përgjigjen për plagët fatale që pësoi Eriguert Ceka në rajonin e policisë së Rëshenit në korrik të vitit 2004. Amnesti International thotë se në bazë të Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve, që Shqipëria e ka ratifikuar dhe si rrjedhim është e detyruar ta zbatojë, Eriguert Ceka ishte fëmijë. Si fëmijë, shteti shqiptar ishte i detyruar të kujdesej në mënyrë të veçantë për të.
Shteti shqiptar, jo vetëm që dështoi në kryerjen e detyrave të tij, por gjithashtu hoqi dorë nga përgjegjësitë e tij për të identifikuar fajtorin ose fajtorët dhe për t’i ndëshkuar ata.
Amnesty International nuk pretendon se ka dijeni se si u plagos aq rëndë Eriguert Ceka, por ajo thekson se nëpërmjet një hetimi korrekt, të hollësisëm dhe të panashëm, autoritet shqiptare do të kishin qënë në gjendje të përcaktonin përgjegjësinë e personit apo persoanve që u bënë shkak për vdekjen e tij dhe për t’i nxjerrë para drejtësisë.