Lidhje

Një traditë amerikane: këngët e Krishtlindjeve - 2004-12-24


Kodrat e Pensilvanisë perëndimore pranë qytetit Glen Rock përcjellin tinguj që këtu dëgjohen që prej më shumë se një shekulli e gjysmë - janë tingujt e Krishtlindjeve. Ne do tju flasim për korin e qytetit që ruan një traditë të hershme të sjellë në Amerikë nga Anglia.

Glen Rock i Pensilvanisë është një qytet i vogël me vetëm 1 mijë e 700 banorë. Ai u themelua në vitin 1837 nga imigrantët britanikë të cilët blenë këtu tokë dhe ngritën një punishte për përpunimin e leshit dhe prodhimin e litarëve. Ata sollën me vete traditën e këngëve të Krishtlindjes.

91 vjeçari Mark Kroh, është më i vjetri ndër ata që i këndojnë këto këngë në Glen Rock.

”Ata e bënin këtë në Angli dhe donin që tradita të vazhdonte. Natyrisht, ata i shtynte më shumë malli për vendin e të parëve. Prandaj edhe donin ta transmetonin këtë traditë dhe zakon. Për fat të mirë, për këto lloj këngësh pati interes brez pas brezi dhe ato vazhdojnë të këndohen edhe sot e kësaj dite.”

Për 157 vjet me radhë, pasardhësit e këngëtarëve të parë, së bashku me shumë të tjerë kanë bërë gjithçka që tradita e këngëve të Krishtlindjes të ruhej. Glenn Engler, ndihmës drejtuesi i grupit, thotë se tradita për pak sa nuk u shua qysh në fillimet e saj.

”Një vit, dimri ishte i tmerrshëm dhe askush nuk donte të dilte nga shtëpia dhe të këndonte. Por njëri nga këngëtarët, George Shaw, tha më në fund: "Nëse askush nuk dëshiron të dalë, atëhere po dal unë dhe do të këndoj solo, sepse ne kemi disa vite që i këndojmë këto këngë dhe nuk duhet ta prishim traditën." Dhe kështu, ai doli dhe këndoi disa prej këngëve vetë. Pas kësaj, u vendos që tradita të vazhdonte vit pas viti dhe të mos ndërpritej asnjëherë.”

Pavarësisht nga moti, megjithë luftrat apo krizat ekonomike, këngëtarët nuk e ndërprenë traditën për asnjë vit të vetëm. Ata shkojnë e këndojnë falas edhe në mjedise të tjerë si azile, duke u sjellë gëzim njerëzve që nuk kanë mundësi t’i këndojnë vetë këngët e Krishtlindjes.

Grupi i këngëtarëve përbëhet sot zyrtarisht nga 50 vetë, sepse veç tyre ka edhe të tjerë që ndihmojnë apo që janë pjestarë nderi. Mosha e tyre është nga 10 deri në 90 e ca vjeç. Sot, ata vazhdojnë të këndojnë katër këngë orgjinale, tamam ashtu si këndoheshin nga katër këngëtarët e parë. Këndojnë gjithashtu këngët që u shtuan me kalimin e kohës. Duke i qendruar besnikë traditës së shekullit të 19, anëtarët e grupit veshin rroba që vishnin këngëtarët që i këndonin ato në Angli. Darryl Engler është drejtues i grupit.

”Do të vesh pallton e madhe. Kemi edhe shallet që i kanë endur gratë e komunitetit tonë - pra edhe gratë kanë pjesën e tyre në këtë organizatë megjithëse ato nuk këndojnë. Shalli im është i bardhë sepse unë jam drejtuese e korit ndërsa të tjerët kanë ngjyra të ndryshme. Natyrisht, i veshim shallet sepse na mbajnë ngrohtë. Në fund vjen kapelja e gjatë. Secili nga koristët ka një shkop ku ka të shkruar emrin e tij. Pra, tani jemi gati të këndojmë dhe sapo arrin mesnata, ne fillojmë këngët. Gëzuar Krishtlindjen, pra!”

Muzika fillon pikërisht në mesnatë, koha e së cilës përcaktohet me saktësi sipas orës së Observatorit të Marinës në Uashington.

Në vitin 2002, ish kryetari i bashkisë së qytetit Glen Rock, Don Swartz organizoi një udhëtim për të disa nga koristët e qytetit. Ata shkuan të vizitojnë vendin e stërgjyshërve këngëtarë në Mickelhurst të Anglisë.

”Ne kënduam për të moshuarit dhe papritur njëri prej tyre filloi të qajë, të tjerët filluan të na shoqërojnë me zë, sepse pikërisht kështu i kujtonin ata këngët e Krishtlindjes herën e fundit që i kishin dëgjuar para 10 vjetësh. Ata nuk e kishin vazhduar traditën por pas vizitës sonë e filluan atë përsëri. Ata na thanë se u kishim sjellë këngët e pastra dhe pa zbukurime siç qenë kënduar ato 150 vjet më parë në Angli.”

Por në vigjiljen e Krishtlindjes, kur temperaturat shkojnë shpesh nën zero, kur njerëzve u ngrijnë buzët dhe gjymtyrët, çfarë e bën këtë grup që të vazhdojë të këndojë nga mesnata deri në lindje të diellit?

”Janë njerëzit që presin që ne të këndojmë. Disa prej tyre fillojnë e qajnë kur dëgjojnë këngën tonë,” thotë pjestari i korit, Mark Herbst.

XS
SM
MD
LG