Lidhje

Irak: Shpërthim i fuqishëm në Bagdat - 2004-12-24


Një shpërthim i fuqishëm tronditi lagjen e pasur al-Mansour të Bagdatit, duke shkaktuar dëme të mëdha tek dyqanet dhe shtëpitë, vetëm disa orë pas largimit të Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Donald Ramsfeld, nga kryeqyteti irakian.

Nuk u mësua menjëherë në se pati viktima. Sipas lajmeve të para, policia irakiane njoftoi se shpërthimi mund të jetë shkaktuar nga një kamjon. Por nuk është e qartë në se kamjoni vetë u sulmua apo ishte planifikuar të shpërthente. Ushtria amerikane njoftoi se kanë filluar hetimet.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Ramsfeld, bëri një vizitë të papritur në Irak me rastin e Krishtlindjeve, duke vizituar ushtarët amerikanë të plagosur nga sulmi vetëvrasës i së martës afër Mosulit. 22 veta humbën jetën dhe 69 të tjerë u plagosën nga ai sulm.

Sekretari Rumsfeld nderoi me medalje disa prej të plagosurve, që ndodhen në një spital jo shumë larg bazës. Zoti Rumsfeld vizitoi trupat amerikane të dislokuara afër Faluxhës, Tkritit dhe Bagdatit. Ai tha se do të triumfojnë në misionin e tyre dhe do ta shikojnë atë në të ardhmen me krenari.

Pastaj sekretari i mbrojtjes i telefonoi presidentit të përkohshëm të Irakut, Gazi al-Jawar.

Sulmi në Mosul ka shkaktuar shqetësime dhe ka krijuar pikpyetje sesi autorët e sulmit i kaluan masave të rrepta të sigurimit në bazë. Ushtria amerikane ka emëruar një gjeneral, i cili hetoi praktimat amerikane të mbajtjes nën arrest në Irak, për të kryesuar hetimet rreth sulmit në Mosul.

Ndërkohë, Kombet e Bashkuara thonë se mbi 6 mijë kandidatë janë regjistruar për në zgjedhjet e Asamblesë Kombëtare të Irakut, të planifikuara për më 30 janar.

Personeli i OKB-s po ndihmon për organizimin e zgjedhjeve, për të cilat zyrtarët amerikanë dhe irakianë kanë thënë se do të zhvillohen megjithë vazhdimin e luftimeve me kryngritësit dhe thirrjet e grupeve myslimane suni për shtyrjen e tyre.

Të dielën e kaluar, 3 punonjës të zgjedhjeve në Bagdat u vranë në mes të ditës. Fushata zgjedhore ka filluar, megjithëse frika e dhunës ka bërë që partitë politike të mbështeten tek reklamat në radio-televizion dhe në gazeta.

Kandidatët po konkurojnë për 275 vende të Asamblesë Kombëtare, së cilës do t’i besohet hartimi i kushtetutës së re dhe krijimi i qeverisë së re derisa të mund të mbahen zgjedhjet presidenciale.

XS
SM
MD
LG