Lidhje

Shtohet pesimizmi në Serbi - 2004-12-26


Në Serbi, anketa e një gazete arrinte në përfundimin se 80 përqind e studentëve në Universitetin e Beogradit do të largoheshin nga vendi në se do t'u jepej mundësia. Dëshpërimi rreth të ardhmes ekonomike dhe politike të Serbisë përputhet me atë çfarë dëgjoi korrespondenti i Zërit të Amerikës Barry Wood kur bisedoi me disa profesionistë në moshë të re në Beograd dhe Novi Sad.

Katër vjet në parë ekzistonte një eufori e madhe në Beograd. Pas një dekade diktature dhe lufte, punëtorët u bashkuan me studentët në kryengritjen popullore që më 5 tetor të vitit 2000 arritën të heqin nga pushteti Sllobodan Milosheviçin.

Tetë muaj më vonë udhëheqësit e rinj të Serbisë e dërguan zotin Milosheviç në gjykatën e Hagës ku ai po gjykohet për krime lufte.

Me liritë e reja dhe kufijtë e hapur, reformatorët energjikë të Serbisë vendosën të ndërtonin shpejt ekonominë e tregut dhe institucionet demokratike. Por në mars të vitit 2003 figura që kishin lidhje me regjimin e vjetër qëlluan për vdekje kryeministrin serb Zoran Djindjic pranë zyrës së tij në Beograd.

Shumë të rinj serb thonë se ëndrrat e tyre për një të ardhme evropiane dhe demokratike u shuan së bashku me zotin Djindijic. Nebojsha Tasiç, një aktivist për të drejtat e njeriut në zyrën e organizatës Helsinki Watch, thotë se idealet e larta dhe shpresat e 5 tetorit kanë marrë fund.

“Çfarë ndodhi me njerëzit, nuk e di? Askush nuk ju tha se ka patur luftë dhe ato nuk janë të lira, se vendi nuk mund të pasurohet brënda një dite dhe njerzit të kenë para dhe vende pune.”

Nebojsha thotë se reformatorët janë të ndarë dhe po luftojnë mes tyre ndërsa komunistët dhe nacionalistët e vjetër po përgatiten të kthehen në pushtet.

Në Novi Sad, qyteti më i madh në Serbinë veriore, një anëtar i partisë nacionaliste radikale, aleat i vjetër i zotit Milosheviç është zgjedhur kryetar bashkie. Milena Jerkov, gazetare 24 vjeçare është habitur nga rezultati.

”Jam shumë e zhgënjyer nga rezultati i këtyre zgjedhjeve. Dhe nuk e di në se kam vullnet të vazhdoj. Deri tani, isha plotësisht e sigurtë se do të kishim një të ardhme. Edhe tani e mendoj këtë por problemi është sa mund të durosh?”

Por është vështirë të largohesh. Të rinj serb si Milena e kanë të vështirë të marrin qoftë edhe viza turistike për në Evropën Perendimore apo në Shtetet e Bashkuara. Miku i saj Zoltan, 30 vjeçar me origjinë hungareze është rast i veçantë. Pas revolucionit ai u kthye në Serbi pasi qëndroi tetë vjet në Kanada.

”Fakti është se shumë njerëz në këtë vend do të largoheshin sapo t’u jepej mundësia.”

I sapo martuar, Zoltan kërkon të fillojë një biznes në Novi Sad. Edhe pse shqetësohet nga ringjallja e dhunës kundër hungarezëve dhe ndalimi i reformave ekonomike, ai nuk është gati të heqë dorë nga Serbia.

”Në se gjërat përmirësohen, përsëri do të zgjidhja të qëndroja këtu. Këtu kam lindur. Ky është vendi ku kam jetuar dy të tretat e jetës sime.”

Në Beograd, Nebojsha Tasiç vëzhgon keqësimin e situatën politike dhe ekonomike dhe është i trishtuar për të ardhmen.

”Në se jeton këtu duhet të kuptosh diçka dhe tja pranosh vetes: ata fituan, dhe ne humbëm, dhe se nuk jetojmë në një vend dhe në një sistem siç do të domin të jetonim.”

XS
SM
MD
LG