Lidhje

Korporata Energjetike e Kosovës mohon të ketë bërë diskriminim në furnizimet me energji elektrike - 2004-12-27


Zyrtarët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), kanë hedhur poshtë çdo mundësi që ndërprerjet e energjisë elektrike në Kosovë të bëhen në baza etnike. Ata i bënë këto komente pas ankesave të banorëve serbë të disa zonave në Kosovë, të cilët e kanë akuzuar këtë Korporatë dhe institucionet ndërkombëtare e vendase për siç thuhet, diksriminim në baza etnike.

Tri fshatra të komunës së Prishtinës të banuara me shumicë serbe që prej disa ditësh me radhë janë pa energji elektrike për shkak të defekteve të cilat KEK-u nuk do t’i rregullojë pa pagesën e energjisë së shpenzuar.

Zyrtarët e Qeverisë së Beogradit dhe mjetet serbe të informimit e kanë akuzuar KEK-un se po i lë pa drita vetëm pjesët e banuara me serbë. Por në KEK mohojnë në tërësi vlerësimet e tilla.

Që nga dita e djeshme rreth 22 vendbanime të ndryshme janë pa energji elektrike, tha Palokë Berishaj, zëdhënës i Korporatës sipas të cilit qytetarët e Kosovës pavarësisht nga përkatësia etnike i kanë rreth 200 milion euro borxhe të papaguara.

“Ndërsa rreth asaj se sa serbët kanë borxhe, nuk mund të jemi të saktë, sepse ne s’kemi pasë mundësi të lexojmë njehsorët elektrik në shumicën e rasteve dhe as në faturimin e energjisë elektrike, mirëpo, të dhënat tona në pikëpamje analitike sillen në mbi 10 milion euro dhe kjo është minimumi I asaj që ata kanë borxhe, sepse ata që nuk paguajnë shpenzojnë dy herë më shumë se në kushte normale”, tha zoti Palokaj.

Pjestarët e komunitetit serb nuk kanë paguar asnjëherë energjinë elektrike pas përfundimit të luftës, sikurse edhe një pjesë e madhe e banorëve të Kosovës të të gjitha etnive.

Korporata Energjetike ka vendosur të zbatojë një politikë të veçantë për të mbledhur borxhet duke u ofruar qytetarëve lehtësi në shlyerjen e tyre, pavarësisht nga përkatësia etnike. Ndërprerja e energjisë për ata që nuk kanë paguar është ngritur si problem politikë nga përfaqësuesit e Beogradit.

Shefi i Qendrës Bashkrenduese të Serbisë për Kosovën, Nebojsha Coviq, ka kërkuar shpjegime nga Misioni i Kombeve të Bashkuara, zyrtarët e të cilit i kanë bërë me dije atij se borxhet duhet të paguhen nga të gjithë qytetarët e Kosovës.

Ndërkohë, Zyra e Presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, ka kërkuar nga Koorporata Energjetike e Kosovës që të lejojë furnizimin me energji elektrike për banorët serbë të tri fshatrave të Prishtinës dhe ka shprehur gatishmërinë që të paguajë borxhet e këtyre fshatrave.

Zyrtarët në Prishtinë pohojnë se ende nuk kanë marrë një ofertë të tillë prandaj edhe nuk e kanë komentuar atë.

Korporata Energjetike e Kosovës, është e vetmja ndërmarrje që merret me prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike. Gjendja në këtë Korporatë e cila që nga fundi i luftës nuk ka shënuar asnjë ditë pa kufizime në furnizim me energji elektrike është shumë e rëndë, megjithë investimet e njëpasnjëshme që kanë arritur në mbi një miliardë dollarë.

XS
SM
MD
LG