Lidhje

Shqipëri: Arrestohet një shtetas italian pasi kapet me drogë - 2004-12-29


Në Shqiperi policia arrestoi mesnatën e mbrëmshme një shtetas italian, në makinën e të cilit u gjendën mbi 2 kilogramë drogë, e cila mendohet të jetë e llojit heroinë. 28 vjeçari Ludovico Salis, nga Sassari i Sardenjës u vu nën pranga në portin e Durrësit, ndërsa po përgatitej të hipte në një nga tragetet e linjës për në Itali.

Sasia e drogës u gjend e fshehur në serbatorin e veturës së tij. Shtetasi italian kishte hyrë në Shqipëri katër ditë më parë. Ky është rasti i dytë i kapjes në portin e Durrësit të një italiani të përfshirë në trafikun e drogës.

Në mars të vitit të kaluar u arrestua Donato Grezzo, 37 vjeç në makinën e të cilit ishte gjendur një sasi prej 13 kilogram heroinë. Gjatë vitit 2004 në Shqipëri janë regjistruar 352 raste të trafikut të drogës dhe janë sekuestruar mbi 240 kilogramë heroinë, shifra më e madhe e sekuestruar ndonjëherë nga policia shqiptare, ndërkohë që ky vit, sipas të dhënave të policisë, ka shënuar një ulje të ndjeshme të kultivimit të bimëve narkotike. Policia ka mundur të asgjësojë 77 mijë rrënjë kundrejt 186 mijë të një viti më parë.

XS
SM
MD
LG