Lidhje

Numri i viktimave në Azinë jugore i kalon 100 mijë - 2004-12-30


Numri i të vdekurve nga tërmeti i së dielës në Azinë Jugore ka arritur në rreth 120 mijë vetë dhe zyrtarët ndërkombëtarë po paralajmërojnë se numri i tyre ka të ngjarë të vazhdojë të ngrihet ndërkohë që ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimet në rënoja.

Ministria indoneziane e Shëndetësisë ka njoftuar se numri i të vdekurve në ishullin Sumatra ka arritur në 80 mijë vetë, nga 52 mijë të njoftuar më parë gjatë ditës së sotme.

Mija njerëz ende figurojnë të humbur, katër ditë pasi një tërmet i fuqishëm i nënujshëm në afërsi të ishullit Sumatra shkaktoi dallgë të mëdha që goditën disa qytete bregdetare në Oqeanin Indian.

Kombet e Bashkuara po përsëritin paralajmërimet e tyre për sëmudjet që i kërcënohen rajonit. Zyrtari i ndihmave të OKB-së, Jan Egeland, tha se shpërthimi i epidemive si kolera, tiroidet, apo malaria mund t’u kushtojnë jetën po aq njerëzve sa edhe tërmeti e tsunami.

Zyrtarët e ndihmave në rajon thonë se tsunami ka zhdukur qytete të tëra në zonat e goditura më rëndë në Indonezi, Sri Lanka dhe në ishujt Nicobar dhe Andaman të Indisë. Në shumë pjesë të atyre vendeve punonjësit e ndihmave nuk kanë mundur të mbërrijnë ende.

Zyrtarët e shëndetësisë kanë paralajmëruar gjithashtu se mungesa e kushteve higjenike dhe e ujit të pijshëm mund të shkaktojë shpërthimin e epidemive të sëmundjeve ngjitëse si malarja dhe kolera.

Deri tani, Sri Lanka ka njoftuar për më shumë se 24 mijë të vdekur, ndërsa India ka njoftuar për rreth 10 mijë. Tajlanda ka konfirmuar se numri i të vdekurve në atë vend është rreth 24 mijë.

Vdekje të tjera janë njoftuar edhe në Birmani, Bangladesh, Malajzi, ishujt Maldive, Tanzani, Somali, Kenia dhe Seychelles.

XS
SM
MD
LG