Lidhje

Pauëll: Uashingtoni i bën thirrje komunitetit suni të marrë pjesë në zgjedhje - 2004-12-31


Më 30 janar është në plan që votuesit irakianë të zgjedhin 18 këshilla krahinorë dhe një asamble kombëtare prej 275 vendesh, e cila do të emrojë një qeveri qendrore dhe do të hartojë kushtetutën e Irakut. Organizata politike më e madhe suni e Irakut, Partia Islamike Irakiane, njoftoi se po tërhiqej nga zgjedhjet e janarit.

Presidenti i përkohshëm i Irakut, Ghazi Al-Jauer, dhe kryeministri Ijad Allaui kanë thënë se zgjedhjet do të zhvillohen në kohën e planifikuar. Ata kanë thënë edhe se është me rëndësi që irakianët, pavarësisht nga përkatësia fetare apo politike, të marrin pjesë në votim.

Sekretari amerikan i Shtetit, Kolin Pauëll, tha se Shtetet e Bashkuara po i bëjnë thirrje komunitetit suni të Irakut që të marrë pjesë në zgjedhje: “Ne po inkurajojmë të gjithë sunitë dhe të gjithë udhëheqësit e tyre që të bashkohen me këtë përpjekje për t’i thënë jo terrorizmit e vrasjeve dhe për t’i thënë po demokracisë. Në të njëjtën kohë, tha Sekretari Pauëll, ne po zhvillojmë bisedime me të gjithë miqtë tonë në rajon, vendet fqinje që kanë ndikim dhe kontakte me komunitetin suni, për t’i bindur ata që të inkurajojnë udhëheqësit suni për të marrë pjesë në votim.”

Shefi i diplomacisë amerikane tha se komandantët ushtarakë të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara po punojnë me qeverinë irakiane për të përmirësuar sigurinë me qëllim që irakianët të mos kenë frikë të marrin pjesë në votim: “Është interesante, theksoi zoti Pauëll, se edhe në kushtet e vështira të sigurimit, njerëzit po punojnë për përgatitjen e qendrave të votimit, për ngritjen e infrastrukturës së nevojshme për zhvillimin e zgjedhjeve, edhe në zonat suni.”

Sekretari amerikan i Shtetit tha se qeveria e përkohshme irakiane dhe koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara po punon për të siguruar që çdo qytetarit irakian që dëshiron të votojë, t’i krijohet mundësia ta bëjë një gjë të tillë.”

XS
SM
MD
LG