Lidhje

Në Shtetet e Bashkuara po grumbullohen miliona dollarë për viktimat e tërmetit në Azi - 2004-12-31


Imazhet e viktimave dhe shkatërrimeve në Azinë Jugore i shtynë korporatat e mëdha dhe qindra mijëra amerikanë të dhurojnë para dhe furnizime për të ndihmuar viktimat e tsunamit aziatik. Paratë grumbullohen përmes telefonatave, postës dhe gjithmonë e më shumë përmes internetit. Dhjetra organizata ndihmash kanë njoftuar rritje të mëdha të donacioneve përmes internetiti.

Vetëm disa ditë pas katastrofës në Azi, Kryqi i Kuq amerikan njoftoi se më shumë se 25 mijë njerëz vizituan faqen e tyre elektronike për të dhuruar para që kapin shumën 20 milion dollarë. Paul Carden i Kryqit të Kuq thotë se në këtë situatë paratë mund tu vinë në ndihmë viktimave të tsunamit shumë më shpejt sesa ushqimi dhe furnizimet e tjera.

"Me një dollar të dhuruar sot mund të blesh furnizime menjëherë diku në Azi".

I përndershmi Emanuel Nasir, drejtues i kishave të aziatikëve të krishterë në New Jersey ka ndihmuar për 15 vjet njerëzit e varfër në Indi dhe Sri Lanka.

"Sipas përvojës që kemi është gjithmonë më mirë të dhurosh para dhe ti lesh njerëzit të vendosin për nevojat që kanë për të plotësuar".

Interneti është një mjet i rëndësishëm për grumbullimin e fondeve veçanërisht për organizata të vogla ndihmash dhe ato që sapo janë krijuar nga katastrofa në Azinë Jugore. Kompanitë e shitjeve me pakicë në internet si Amazon.com thonë se më shumë se 53 mijë njerëz dhuruan tre milion dollarë për të ndihmuar viktimat e katastrofës tsunami. Kompanitë që krijojnë faqe elektronike internetin po krijojnë gjithashtu faqe të tilla të lidhura me organizatat e ndihmave.

Korporatat gjithashtu po japin ndihma për viktimat e tsunamit. Coca Cola dhe Pepsi kanë dërguar mijëra ngarkesa me shishe uji në Azi. Kompanitë farmaceutike po u përgjigjen gjithashtu nevojave duke dërguar pajisje dhe para. Kompania Pfizer tha se do të dhurojë 10 milion dollarë dhe 25 milion dollarë produkte mjekësore. Disa mjekë amerikanë si Tonya Baker po dhurojnë pajisje të papërdorura mjekësore për të ndihmuar njerëzit në Azinë Jugore.

"Ata kanë nevojë për antibiotikë, dhe pajisje me një përdorim, si doreza, çanta çdo gjë që mund ti ndihmojë në pastrimin e ambjentit".

Në Hollivud, figura të shquara të artit u kanë ardhur gjithashtu në ndihmë viktimave. Aktori i artit marcial Jackie Chan firmosi një çek prej 64 mijë dollarësh për UNICEFin. Grupi i rrokut Linkin Park i cili sapo u kthye nga një turne në Azinë jugore dhuroi 100 mijë dollarë.

Zyrtarët e OKBsë përllogarisin se katastrofa do të kushtojë miliarda dollarë. Ndërsa po bëhen thirrje për më shumë donacione dhe ndihma, zyrtarët amerikanë shpresojnë se ndihmat e mara deri tani nga amerikanët do të vazhdojnë për muaj me rradhë.

XS
SM
MD
LG