Lidhje

Kroatët po votojnë sot për zgjedhjen e presidentit - 2005-01-02


Kroatët po votojnë sot për zgjedhjen e presidentit, i cili do ta udhëheqë vendin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian si dhe përmirësimin e marrëdhënieve me Perëndimin. Presidenti i tanishëm, Stipe Mesic pritet të rizgjidhet në një kohë kur kjo ish republikë jugosllave është nën trysni për të rritur bashkëpunimin me Gjykatën e Hagës.

Anketat e opinionit tregojnë se shumica e votuesve parapëlqejnë 70-vjeçarin Mesiç si Presidenti që do ta udhëhiqte vendin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, i planifikuar për vitin 2009.

Sipas anketave, zoti Mesiç mund të marrë 50 përqindëshin e nevojshëm të votave për t’ju shmangur balotazhit pas dy javësh. Rivalja e tij kryesore, zëvendës kryeministrja 51-vjeçare Jadranka Kosor, ish gazetare, pritet të marrë rreth 20 përqind të votave.

Ajo përkrah disa nga qendrimet proevropiane të zotit Mesiç, por shihet si më pak tërheqëse për publikun. Asnjë prej 11 kandidatëve të tjerë nuk përbën një rival serioz ndaj zotit Mesiç në këto zgjedhje.

Analistët thonë se shumica e 4,5 milion votuesit e Kroacisë e shohin zotin Mesiç si kundërpeshë ndaj qeverisë konservatore të kryeministrit Ivo Sanader, i cili i përket partisë dikur ultranacionaliste Bashkimi Demokratik Kroat.

Kroatët e lavdërojnë gjithashtu zotin Mesic për guximin që ata thonë se tregoi si presidenti i fundit i ish Jugosllavisë, e cila u shpërbë dhe u zhyt në luftrat ballkanike të viteve 90, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë nga Kroacia dhe republikat e tjera.

Megjithëse posti i zotit Mesiç si president është kryesisht ceremonial, ai thotë fjalën e tij në çështjet e politikës së jashtëme, të mbrojtjes dhe të zbulimit si dhe gëzon kompetencën për të emëruar kryeministrin.

Ditët e fundit ai i ka paralajmëruar votuesit se vendi do të ketë përpara ditë të vështira. Ai i tha një intervistuesi se kroatët duhet të kuptojnë se hyrja në Bashkimin Evropian nuk sjell menjëherë qumësht dhe mjaltë dhe la të kuptohet se Kroacia duhet të bashkëpunojë me Gjykatën e Hagës.

Udhëheqësit evropianë kanë caktuar marsin e vitit 2005 si datën e fillimit të bisedimeve të pranimitg të Kroacisë por ata kanë deklaruar se kjo kushtëzohet nga bashkëpunikmi i plotë i qeverisë kroate me gjykatën e Hagës. Sidomos ata kërkojnë dorëzimin e gjeneralit në pension Ante Gotovina, një prej personave kryesorë të dyshuar për krime lufte nga Gjykata. Duke shprehur besimin se vendi i tij do ta plotësojë një kërkesë të tillë përpara marsit të këtij viti, zoti Mesic tha se autoritetet ose do ta arrestojnë gjeneralin ose do të paraqesin prova se ai është jashtë vendit.

Zoti Mesiç erdhi në postin e presidentit me zgjedhjet historike të vitit 2000, duke zenë vendin e udhëheqësit autokrat Franjo Tudjman, i cili ishte kundër dorëzimit të personave të dyshuar për krime lufte. Zoti Tudjman ishte president në kohën kur vendi fitoi pavarësinë dhe u zhyt në luftë. Më pas ai u kritikua nga Perëndimi për nacionalizmin e skajshëm të politikave të tij.

XS
SM
MD
LG