Lidhje

Kongresi amerikan rifillon zyrtarisht sesionet - 2005-01-04


Kongresi amerikan rifilloi zyrtarisht punimet me disa synime ambicioze legjislative. Republikanët, të cilët kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin, shpresojnë të vënë disa çështje në programin e mandatit të dytë të presidentit Bush, ndërsa demokratët synojnë të marrin veten nga humbjet e pësuara gjatë zgjedhjeve të nëntorit. Ndërkohë, ligjvënësit po përballen gjithashtu me çështje efikasiteti dhe reforme.

Ditët e para të kongresit trajtojnë zakonisht vendimet rreth ndryshimeve të rregullave që drejtojnë debatet, zgjedhjen e kryetarëve të komisioneve kryesore, dhe organizimin e mënyrës se si ligjvënësit i mbikqyrin veprimet e qeverisë.

Edhe këtë vit ligjvënësve u duhet të mendojnë se si të jenë më efikasë. Në veçanti, ata po përpiqen të gjejnë se si të vënë në vijë rrjetin e komisioneve që do të ketë jurisdiksion mbi agjencite amerikane të zbulimit dhe sigurimit të atdheut. Komisioni i 11 shtatorit rekomandoi vitin e kaluar ndryshime në mënyrën se si Kongresi mbikqyr aktivitetet e zbulimit. Por, anëtarët e Kongresit kanë qenë gjithmonë shumë të patundur ndaj përpjekjeve për zvogëlimin e pushtetit të tyre. Anëtari republikan i kongresit, Curt Weldon, thotë:

“Është e turpshme të mendosh se 88 komisione dhe nënkomisione mund të pretendojnë se kanë juridiksion mbi sigurimin kombëtar, dhe kjo do të thotë 505 anëtarë nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati”.

Anëtari i komisionit të 11 shtatorit dhe ish-ligjvënësi, Lee Hamilton, thotë se mënyra se si organizohet Kongresi dhe si përgjigjet ndaj ndryshimeve, është çështje e sigurimit kombëtar.

Mary Fetchet, pjesëtare e një prej familjeve të 11 shtatorit thotë se Kongresi duhet t’i shqyrtojë në mënyrë objektive sistemet sipas të cilave punon.

Ndërkohë që ligjvënësit merren me këto hollësi, ata presin emërimin nga presidenti Bush të një personi në postin e krijuar rishtaz të drejtorit kombëtar të zbulimit dhe gjithashtu edhe anëtarëve të ardhshëm të administratës së tij.

Në fund të këtij muaji Senati do të mbajë një seancë dy-ditore për miratimin e Sekretares së Shtetit Condoleeza Rice dhe të një sekretari për sigurimin e atdheut, pasi Presidenti tërhoqi kandidatin e tij për zëvendësimin e Tom Ridge-it.

Ligjvënësit vazhdojnë të jenë të shqetësuar për situatën në Irak dhe Afganistan. Shtëpia e Bardhë vuri në dukje muajin e kaluar se do të paraqesë një kërkesë për shpenzime të tjera për aktivitete ushtarake në këto vende, në një shumë që mund të kalojë 80 miliard dollarë.

Ndihma urgjente për viktimat e cunamit në Azinë Jugore është gjithashtu në program, dhe presidenti Bush tha se 350 milionë dollarë do të jenë vetëm kontributi fillestar i Shteteve të Bashkuara.

Në kuadrin e çështjeve të brendëshme, ligjvënësit do të trajtojnë sfidën e reformimit të sistemit të gjerë të sigurimeve shoqërore. Presidenti Bush u bëri thirrje dje ligjvënësve të sapozgjedhur ta ndihmojnë në çështjet kyçe të programit të tij.

“Është e rëndësishme t’i trajtojmë problemet dhe jo t’ia kalojmë Kongresit apo presidentit të ardhshëm. Unë do t’i bëj thirrje Kongresit të trajtojë çështjet madhore, dhe mezi pres të bashkëpunoj me anëtarë nga të dy partitë për këtë.”

Një nga vështirësitë kryesore të Presidentit Bush në legjislaturën e kaluar të Kongresit ishte miratimi i kandidatëve për gjyqësorë nga Senati, ku demokratët përdorën shumë mënyra për t’i bllokuar ato, dhe kjo mund të ndodhë edhe këtë vit me të paktën një kandidat për Gjykatën e Lartë.

Reforma e imigracionit është një çështje tjetër që mund të ndezë koflikte partiake. Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve thonë se ndryshimet në ligjet e emigracionit janë të nevojshme për të ndihmuar në mbrojtjen kundër terroristëve.

XS
SM
MD
LG