Lidhje

E ardhmja e marrëdhënieve amerikano-gjermane - 2005-01-05


Lufta në Irak, theksoi zoti Szabo, nuk ishte shkaktare, por thjesht katalizator i ndryshimeve që priteshin në marrëdhëniet amerikano-gjermane. Këto ndryshime, thekson autori ishin të pashmangshme si rrjedhojë e dinamikës së re politike që u krijua pas përfundimit të Luftës së Ftohtë:

Përfundimi i Luftës së Ftohtë dhe ndryshimet strukturale që rrodhën nga kjo janë të një natyre rrënjësore. Edhe në të kaluarën ka pasur konflikte, por këto konflikte nuk kanë sjellë ndonjë të çarë të ndjeshme në marrëdhëniet amerikano-gjermane, si rrjedhojë e rëndësisë që kishte aleanca strategjike ndërmjet këtyre dy vendeve.

Tani që kjo bazë nuk ekziston më, vazhdon autori, karakteri i figurave politike merr një rëndësi edhe më të madhe dhe duket sikur konfliktet e kanë bazën në stilin e ndryshëm diplomatik të presidentit Bush apo kancelarit Shroder.

Zoti Zabo thekson se ka pasur edhe një numër zhvillimesh të brendshme në Shtetet e Bashkuara që kanë sjellë ndryshime në politikën e jashtme. Në Shtetet e Bashkuara gjatë administratës së parë të presidentit Bush kanë dalë në skenë një numër figurash politike shumë më radikale se më parë, të cilat kanë theksuar me të madhe rolin hegjemon të Shteteve të Bashkuara në arenën ndërkombëtare.

"Pikëpamjet negative të brezit të ri në Gjermani lidhur me Shtetet e Bashkuara janë një problem me ndikim afat-gjatë në marrëdhëniet mes dy vendeve. Këta të rinj kanë përgjithësisht një pikëpamje shumë më negative për Shtetet e Bashkuara. Anketat e opinionit tregojnë se ka pasur një zhgënjim më të madh që nga lufta në Irak".

Por zoti Szabo thekson se dy vendet duhet të përpiqen të gjejnë një gjuhë të përbashkët si rrjedhojë e interesave të përbashkëta ekonomike si dhe një numër çështjesh ndërkombëtare ku nuk ka dallime strategjike:

"Çështje si marrëdhëniet me Iranin, përhapja e armëve bërthamore, Russia dhe Lindja e Mesme janë fusha ku një bashkëpunim më i madh ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë do të ishte me vlerë".

Megjithatë, autori mendon se marrëdhëniet që tani e tutje do të jenë shumë më të ftohta dhe më të zhveshura nga sentimentalizmi i kaluar.

"Kjo s’do të jetë më një aleancë, por një bashkim forcash për çështje ku përputhen nevojat strategjike. Të dyja palët duhet të jenë realiste në këtë drejtim. Në të dyja anët e Atlantikut marrëdhëniet nuk do të kenë më një peshë qendrore. Do të vazhdojnë lidhjet e forta ekonomike, por kjo nuk do të përmirësojë lidhjet strategjike".

Rolf Nikel zyrar politik pranë ambasadës gjermane në Washington, iu kundërvu analizës së zotit Zabo, duke theksuar se dallimet amerikano-gjermane e kanë burimin në mospërputhjet në vijën politike:

"Thelbi i argumentit është se dallimet lidhen me një numër çështjesh politke si Iraku, Marrëveshja e Kiotos, Gjykata Ndërkombëtare dhe dënimi me vdekje. Asnjë nga këto çështje, përveç Irakut nuk janë me rëndësi strategjike. Në shumë fusha të tjera të marrëdhënieve dy palëshe ne biem dakort. Të marrim Ballkanin: kjo temë nuk renditet në krye të çështjeve të politikës së jashtme të administratës së presidentit Bush, megjithatë mbetet problem dhe trazirat e marsit në Kosovë treguan se konflikti nuk është zgjidhur përfundimisht".

Diplomati gjerman thekson përputhjet në politikat e dy vendeve ndaj Afganistanit: Gjermania ka trupa atje dhe është e angazhuar në përgatitjen e forcave policore. Dy vendet, vazhdon ai, bien dakort lidhur me parimet bazë të luftës kundër terrorizmit, megjithëse ka pikëpamje të ndryshime lidhur me instrumentat e përdorur në këtë luftë.

Megjithë mospërputhjet lidhur me luftën në Irak, Gjermania, vazhdoi zoti Nikel është e angazhuar në përgatitjen e forcave irakiane të sigurimit, ndihmat për rindërtim si dhe ndihma humanitare, si dhe mbështetje politike për zgjedhjet. Nuk jam dakort se dallimet ndërmjet vlerave tona po zgjerohen. Nuk ka bazë për ndjenja amerikane në Gjermani: produktet amerikane pranohen njëlloj nga konsumatorët.

Me dinamikën e re në arenën ndërkombëtare, aleancat strategjike mund të jenë thjesht një atavizëm i së kaluarës, por analistët pohojnë se këto dy vende kanë vlera të shumta të përbashkëta mbi të cilat i bazojnë shoqëritë e tyre demokratike dhe do të vazhdojnë t’i bazojnë marrëdhëniet ndërmjet tyre në të ardhmen.

Shumë analistë dhe politikanë, si përfaqësuesi politik pranë ambasadës gjermane këtu në Washington, Rolf Nikel, përpiqen ta paraqesin gjendjen si mospërputhje e karakterit të presidentit Bush dhe kancelarit Shroder dhe stileve të tyre të ndryshme si udhëheqës. Nëse kjo është në të vërtetë thelbi i mosmarrëveshjeve vizita e presidentit Bush në Evropë do të na tregojë nëse presidenti Bush dhe kancelari Shroder do të jenë të gatshëm t’i kapërcejnë këto dallime në stilin diplomatik.

Gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale zoti Bush mbrojti me forcë vendimet e mëparshme duke theksuar se do të përpiqet t’u sqarojë aleatëve qëndrimin e tij dhe parimet mbi të cilat bazohet, pra nga ana e administratës amerikane ende nuk ka pasur ndonjë shenjë për ndryshime në marrëdhëniet amerikano-gjermane.

XS
SM
MD
LG