Lidhje

Cunami dhe skllavëria e seksit - 2005-01-06


Cunami aziatik i cili shkaktoi shkatërrime të shumta në një numër vendesh, po sjell pasoja të rënda edhe te fëmijët. Ata përbëjnë deri në një të tretën e të vdekurve - të paktën 50 mijë, ndërsa rreth 1 milion e 500 mijë fëmijë të tjerë përpiqen të sigurojnë ushqimin dhe ujin e pijshëm. Kanë lindur gjithashtu shqetësime se një pjesë e fëmijëve mund të bien pre e rrëmbimeve.

Shtëpia e motrave Bismiya dhe Nashika në Sri Lanka është tani një grëmadhë. Dallga gjigande që shkatërroi qytetin e tyre u vrau edhe të dy prindërit. Dy motrat, ashtu si shumë fëmijë të tjerë, jetojnë tani në një kamp refugjatësh. Ato janë vetëm dy midis dhjetra mijë fëmijëve që kanë mbetur jetimë për shkak të katastrofës.

Drejtoresha e Fondit të OKB-së për Fëmijët, Carol Bellamy, është e shqetësuar se shumë nga këta fëmijë pa përkrahje mund të bien pre e bandave kriminale që mund t’i shesin ato si skllave.

"Shqetësimi ynë është se këta fëmijë në vend që të adoptohen mund të shfrytëzohen dhe të kthehen në skllevër."

UNICEF-i ka konfirmuar të paktën dy raste përpjekjesh për trafikim në Indonezi, ku trafikantët kanë një rrjet mjaft të organizuar. Organizatat që kujdesen për fëmijët thonë se këto banda janë të njohura për rrëmbimin e fëmijëve dhe shitjen e tyre në vendet më të pasura, ku ata bëjnë pastaj punë të detyruar ose përfundojnë në skllavërinë e seksit.

Midis këtyre vendeve është Tajlanda, e njohur për tregtinë e fëmijëve për qëllime seksi. Për këtë arësye, në fillim të kësaj jave lindën shqetësime të mëdha lidhur me një djalë suedez 12-vjeçar që figuronte i zhdukur. Rrëmbimi i tij nga një spital tajlandez u njoftua gjerësisht nga media botërore. Gjyshi i tij, Daniel Walker vazhdon të kërkojë të nipin.

"Shpresoj që atë ta kenë rrëmbyer dhe mos ta kenë vrarë, siç u njoftua fillimisht, sepse po të jetë rrëmbyer ka mundësi që ai të jetë gjallë."

Zyrtarët tajlandezë që po merren me këtë çështje, thonë tani se njoftimet për rrëmbimin e djalit nuk janë konfirmuar dhe fati i 12-vjeçarit mbetet i panjohur.

Zyrtarët shpjegojnë se periudha pas një fatkeqësie natyrore është një terren ideal për trafikantët. Mijra fëmijë janë ndarë nga familjet e tyre dhe vdekja e prindërve i lë jetimët veçanërisht të ekspozuar ndaj elementëve kriminalë. Autoritetet indoneziane kanë vënë kufizime mbi fëmjët që largohen nga vendi dhe kanë vendosur roje të posaçme në kampet e refugjatëve.

Rrëmbimet janë vetëm njëri prej kërcënimeve me të cilat përballen fëmijët viktima të cunamit. Midis shqetësimeve më të mëdha të ekipeve humanitare janë furnizimi me ujë të pijshëm, ushqimi dhe kujdesi shëndetësor.

Janë pastaj edhe pasojat psikologjike të fatkeqësisë. Shumë nga kampet e refugjatëve po u ofrojnë fëmijëve ndihmë për të përballuar traumën. Por punonjësit e ndihmave paralajmërojnë se këta fëmijë do të kërkojnë vemendje të posaçme për shumë vite me radhë.

XS
SM
MD
LG