Lidhje

Shqipëri: Miratohet Kodi i ri zgjedhor - 2005-01-07


Në Shqipëri Komisioni parlamentar i Ligjeve miratoi Kodin e ri zgjedhor i cili do të marrë votën e deputetëve të hënën e ardhshme në një seancë të jashtëzakonshme. Miratimi i kodit u bë me pëlqimin e dy partive më të mëdha, pas marrëveshjes së arritur mes tyre në fund të dhjetorit. Kjo marrëveshje parashikon dhe hartimin e një ligji tërësisht të ri për ndarjen e zonave elektorale.

Mbledhja e sotme e Komisionit të Ligjeve u shoqërua nga polemika të shumta të nxituara nga partitë e vogla dhe kresiht dy grupimet e reja parlamentare, Lëvizja socialiste për Integrim e ish kryeministrit Ilir Meta dhe Lëvizja për Zhvillim Kombëtar e pretenduesit të fronit mbretëror Leka Zogu. Të dy këto grupime kanë kritikuar përmbajtjen e kodit duke e cilësuar atë si një pazar mes dy partive më të mëdha. Sipas tyre ekzistojnë hapësira manipulimi vecanërisht në praktikën e transportimit të kutive të votimit nga qendrat në komisionin e zonës ku do të bëhet numërimi. Ato pretendojnë të kenë anëtarë në komisione duke qenë se në parlament përfaqësojnë forcën e tretë dhe të katërt, por sot arritën të shkëpusin vetëm mundësinë për të marrë procesverbalet e votimit.

Kodi i ri i zgjedhjeve do të kalojë të hënën e ardhshme në parlament pas një marrëveshjeje mes socialistëve dhe demokratëve të arritur me shumë mundim nga ndërmjetësimi i Osbe-së. Thelbi i marrëveshjes ka të bëjë me ndarjen e re të zonave elektorale dhe përcaktimin e kritereve mbi të cilat do të përgatitet harta e re. Këto kritere janë listat e zgjedhësve në zgjedhjet e vitit 2001 dhe 2003, regjistrimi i popullsisë në 2001 dhe mundësisht, ky është termi i përdorur në marrëveshje, edhe pjesmarrja e votuesve në zgjedhjet e fundit të pushtetit lokal. Nga ana e saj po sot gjykata kushtetuese e quajti të papranueshëm ndarjen zonale në bazë të numrit të atyre që votuan në zgjedhjet e fundit, kriter i përdorur në hartimin e ligjit të mëparshëm i cili solli përplasje shumë të mëdha.

Harta e re duhet të përgatitet dhe miratohet brenda mesit të muajit shkurt nga një grup ekspertësh të partive më të mëdha dhe ekspertëve ndërkombëtar që do të sillen posacërisht nga Osbe-ja.

XS
SM
MD
LG