Lidhje

BE: Në Kosovë nevojitet përparim në krijimin e një shoqërie shumëetnike  - 2005-01-07


Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se kërkon që Kosova të plotësojë së pari standartet që kanë të bëjnë me krijimin e një shoqërie shumëetnike, si mënyrë për të lëvizur gjithë procesin përpara. I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian në Prishtinë, Fernando Xhentilini i bëri sot këto komente pas një takimi që pati me kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj. Tashmë, bashkësia ndërkombëtare dhe institucionet vendore në Kosovë kanë bërë një listë të standarteve me përparësi të cilat janë sundimi i ligjit, mbrojtja e pakicave, liria e lëvizjes, kthimi i personave të zhvendosur dhe decentralizimi i pushtetit.

Bashkimi Evropian kërkoi sot përparim në standartet që kanë të bëjnë me Kosovën shumëetnike, duke thënë se kjo do të jetë shumë thelbësore. Fernando Xhentilini, i dërguari i posacëm i komisionerit të lartë evropian Havier Solana në Kosovë, i bëri të ditur kryeministrit të ri të Kosovës Ramush Haradinaj në një takim sot pasdite në Prishtinë se përparimi i hershëm dhe i qëndrueshëm në standartet kyce do të jetë shumë i rëndësishëm në të ardhmen e afërt për të ecur përpara me gjithë procesin.

“Kam ngulur këmbë vecanërisht për nevojën që të bëhet përparim në standartet që kanë të bëjnë me multietnicitetin, që do të jetë shumë, shumë thelbësore,” theksoi zoti Xhentilini.

Bashkimi Evropian është I pranishëm në Kosovë me disa mekanizma dhe qeveriae Kosovës ka një bashkëpunim të mirë me to, pohoi kryeministri Haradinaj,duke thënë se qeveria e tij është mirënjohëse për ndihmat që vijnë nga Bashkimi Evropian këtu. Kryeministri nënvizoi se ka nevojë për rezultate konkrete, vecanërisht në plotësimin e standarteve.

Tashmë, bashkësia ndërkombëtare dhe institucionet vendore kanë bërë një listë të standarteve me përparësi të cilat janë sundimi i ligjit, mbrojtja e pakicave, liria e lëvizjes, kthimi i personave të zhvendosur dhe decentralizimi i pushtetit. Këto janë fushat ku Kosova duhet të tregojë përparim të qartë në mënyrë që në vitin 2005 të mund të fillojë të hapet cështja e statusit të saj përfundimtar.

Autoritetet ndërkombëtare kanë bërë thirrje që në Kosovë të krijohen lidhje të reja ndërmjet qyteteve e fshatrave, veriut e jugut, lindjes e perëndimit, shumicave e pakicave, në mënyrë që të kapërcehet izolimi në të cilin, sipasadministratës ndërkombëtare, jetojnë shumë njerëz në Kosovë.

XS
SM
MD
LG