Lidhje

Presidenti Bush: SHBA po luajnë rol kryesor në ndihmë të viktimave të cunamit - 2005-01-08


Presidenti Bush tha se Shtetet e Bashkuara po luajnë një rol kryesor në ndihmë të viktimave të cunamit shkatërrimtar të muajit të kaluar. Në fjalimin e tij të përjavshëm në radio, presidenti tha se fondet që ka ofruar Washingtoni po u shpërndahen organizatave të ndihmave në rajon dhe po sjellin përparime të dukshme në ndihmë të zonave të prekura më rëndë nga tragjedia, e cila shkaktoi vdekjen e mbi 150 mijë vetave. Presidenti u bëri thirje amerikanëve të dhurojnë drejtpërdrejtë ndihma pranë organizatave si Kryqi i Kuq dhe Gjysmë Hëna e Kuqe, Organizata bamirëse për fëmijët ”Save the Children” dhe Americares.

Presidenti Bush tha se ndërkohë që qytetarët amerikanë vazhdojnë të kujtojnë me dëshpërim viktimat e cunamit në Oqeanin Indian, qeveria e Shteteve të Bashkuara po punon me vende të tjera dhe organizata joqeveritare për të grumbulluar ndihma për rajonin:

"Bota është bashkuar në përgjigje të kësaj çështjeje urgjente dhe Shtetet e Bashkuara kanë marrë një rol drejtues. Ne po punojmë me qeveritë e vendeve të tjera, me organizata ndihmash dhe me Kombet e Bashkuara për të bashkërenduar një përgjigje të shpejtë dhe efektive ndërkombëtare. Po dërgojmë ushqime, ilaçe dhe furnizime të tjera jetike në rajon. Shtetet e Bashkuara janë përqëndruar në përpjekjet për të ndihmuar gratë dhe fëmijët, të cilët kanë nevojë për vëmendje të posaçme, përfshirë edhe mbrojtje nga trafiku njerëzor."- tha Presidenti.

Presidenti tha se ndihmat amerikane me vlerë prej rreth 350 milion dollarë po u shpërndahen organizatave të ndihmave në terren. Për më tepër, ushtria amerikane është angazhuar në operacionin më të madh humanitar në rajon që në vitet ’70. Presidenti Bush tha se ushtarët amerikanë po u ofrojnë ushqime, furnizime mjeksore dhe ujë të pishëm viktimave të cunamit:

"Helikopterët dhe mjete të tjera ushtarake po përmbushin nevojat kritike duke u dërguar direkt ndihma viktimave në zona të largëta."- tha Presidenti.

Presidenti Bush tha se i ka kërkuar të atit, ish-presidentit George Herbert Bush si dhe ish presidentit Klinton të vihen në krye të një përpjekjeje mbarëkombëtare bamirësie për grumbullim fondesh. Siç u shpreh presidenti, misioni i tyre është të nxisin amerikanët të ndihmojnë drejtpërdrejtë me para organizatat e angazhuara në përpjekjet e ndihmave në zonat e prekura nga cunami:

"Shumë nga këto organizata kanë një përvojë të gjatë në përgjigje të fatkeqësive natyrore si dhe njohuri të shumta të nevojave për ndihmë. Ata janë në gjendje t’i përdorin me maturi dhe efektivitet shumat e dhuruara."- tha Presidenti.

Për të inkurajuar amerikanët të dhurojnë para për ndihmat, presidenti Bush tha se ka nënshkruar një ligj që u jep mundësi amerikanëve të zbresin nga taksat një sasi të parave që kanë dhuruar në ndihmë të viktimave të cunamit.

XS
SM
MD
LG