Lidhje

Anan vazhdon vizitën në rajonet e prekura nga Cunami - 2005-01-09


Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Kofi Annan ndodhet në ishujt Maldive, në vazhdim të vizitës së tij në rajonet e goditura nga cunami i muajit të kaluar.

Po sot, zoti Annan ishte në Sri Lankë, ku u bëri thirrje qeverisë dhe forcave kryengritëse Tigrat Tamilë t’i lenë mënjanë mosmarrëveshjet, ndërsa mbarë rajoni po përpiqet të rindërtojë shkatërrimet e shkaktuara nga cunami i 26 dhjetorit.

Të paktën 300 persona dolën në një marshim për të protestuar ndaj anulimit të planit të zotit Anan për të vizituar qytetin Jaffna, të goditur nga cunami, që mbahet nga forcat kryengritëse. Zoti Anan tha se vizita e tij ishte organizuar nga qeveria e Sri Lankës, e cila shprehu shqetësim për gjendjen e sigurisë në rajonet që mbahen nga kryengritësit.

Në një tjetër zhvillim, punonjësit e ndihmave thanë se po vazhdojnë përpjekjet që ndihmat të arrijnë tek viktimat e cunamit, si ato në veriperëndim të Indonezisë.

Studiuesit australianë thonë se Toka vazhdon të lëkundet që pas tërmetit të 26 dhjetorit, që shkaktoi dallgët sizmike cunami, që lanë të vdekur rreth 153 mijë njerëz në rajonin e Azisë Juglindore.

XS
SM
MD
LG