Lidhje

SHBA: 20 milion dollarë për asgjësimin e armëve kimike në Shqipëri - 2005-01-11


Shtetet e Bashkuara thonë se do të shpenzojnë 20 milion dollarë për të ndihmuar Shqipërinë të asgjësojë stoqet e armëve kimike të zbuluara muaj më parë.

Zyrtarët amerikanë do të dërgojnë në Shqipëri një pajisje të lëvizëshme për djegien e lëndëve kimike dhe kanë në plan ta përfundojnë asgjësimin e tyre deri në vitin 2007.

Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit e vlerësoi Shqipërinë për faktin që ajo ndihmoi të siguroheshin lëndët kimike si dhe për masat që këto lëndë të asgjësohen sa më shpejt që të jetë e mundur.

Qeveria shqiptare i zbuloi stoqet kimike në fjalë vitin e kaluar dhe informoi Shtetet e Bashkuara dhe Kombet e Bashkuara.

Stoqet kimike të Shqipërisë janë futur në vend në vitet 70

Në kuadrin e një programi të cilit deri tani nuk i ishte bërë shumë publicitet, Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi dje se Shtetet e Bashkuara po paguajnë për asgjësimin e rreth 16 ton lëndëve kimike në Shqipëri. Ky është projekti i parë i këtij lloji që Shtetet e Bashkuara do të zbatojnë jashtë vendeve të ish bllokut sovjetik.

Stoqet kimike të Shqipërisë, të cilat përfshijnë agjentë si gazi mustardë, janë futur në vend në vitet 70 në kohën e diktaturës staliniste të Enver Hoxhës.

Sipas gazetës Washington Post, armët ishin depozituar në bunkerë diku në malet rreth Tiranës dhe ishin harruar pas vdekjes së Hoxhës në vitin 1985.

Në artikull thuhet gjithashtu se qeveria e tanishme e Shqipërisë i zbuloi të 600 fuçitë me lëndë helmuese para disa muajsh dhe informoi Shtetet e Bashkuara dhe Kombet e Bashkuara.

Administrata e Presidentit Bush ka shprehur angazhimin për të financuar asgjësimin e tyre në bazë të programit Nunn-Lugar, në kuadrin e të cilit Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar disa miliarda dollarë që nga viti 1992 për të ndihmuar vendet e ish Bashkimit Sovjetik të shkatërrojnë armët e epokës së Luftës së Ftohtë.

Në një konferencë shtypi, zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Adam Ereli përshëndeti bashkëpunimin e Shqipërisë për eliminimin e këtyre lloj armëve në bazë të Konventës ndërkombëtare për Armët Kimike.

"Ata kanë bashkëpunuar plotësisht me Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike, duke identifikuar stoqet e armëve kimike dhe duke i deklaruar ato plotësisht, duke garantuar sigurinë e tyre dhe duke filluar marrjen e masave për asgjësimin sa më të shpejtë të tyre."

Zëdhënësi Ereli tha se Departamenti amerikan i Shtetit po përgatit një plan për asgjësimin e këtyre armëve sipas klauzolave të konventës ndërkombëtare e cila ka vënë afat prillin e vitit 2007 për këtë qëllim.

Ai tha se në bazë të programit prej 20 milion dollarësh, në vendin ku ndodhen bunkerët me lëndët kimike do të dërgohet një pajisje portative për asgjësimin e lëndëve të tilla dhe për depozitimin e mbeturinave nga kontraktorët amerikanë. Pajisja do të kthehet pastaj në Shtetet e Bashkuara.

Gazeta Washington Post shkruante se sasia e armëve kimike të Shqipërisë ndonëse relativisht e vogël, i shqetësoi zyrtarët amerikanë sepse ajo mund të jetë vetëm njëra prej shumë stoqeve të tilla të padokumentuara ose të siguruara keq në vende të ndryshme të botës dhe që mund të shfrytëzohetg nga terroristët.

Zyrtarët e Departamentit të Shtetit nuk pranuan të komentonin rreth pohimeve të gazetës se të paktën një pjesë e agjentëve kimikë i ishte dhënë regjimit shqiptar të Enver Hoxhës nga qeveria kineze.

Në vitet 60, qeveria staliniste shqiptare i prishi marrëdhëniet me Moskën pasi kjo e fundit devijoi së tepërmi nga parimet marksiste. Më vonë Shqipëria u prish edhe me Kinën.

Nga fundi i sundimit të tij, Enver Hoxha shpenzoi një pjesë të mirë nga të ardhurat e vendit të tij të varfër për ndërtimin e mijra bunkerëve për t’u mbrojtur nga një pushtim i mundshëm armik të cilit ai i trembej.

XS
SM
MD
LG