Lidhje

Në Sudan nënshkruhet marrëveshja e paqes - 2005-01-13


Qeveria sudaneze dhe grupi kryengritës i quajtur Lëvizja Popullore Çlirimtare e Sudanit kanë nënshkruar një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës civile thuajse 22 vjeçare. Konflikti midis një qeverie myslimane në Hartum kundër sudanezëve animistë dhe të krishterë në jug ka çuar në krijimin e kushteve që kanë rezultuar në vdekjen e 2 milionë njerëzve, kryesisht nga uria dhe sëmundjet. Katër milionë të tjerë kanë mbetur pa strehë.

Marrëveshja e paqes u nënshkrua nga nënpresidenti i parë i Sudanit, Ali Osman Muhamed Taha, dhe udhëheqësi i Lëvizjes Popullore Çlirimtare të Sudanit, Xhon Garang. Në bazë të marrëveshjes, pjesa jugore e Sudanit do të fitojë autonomi fetare dhe politike dhe do të ketë pjesë në rezervat sudaneze të naftës. Ligji islamik do të zbatohet në pjesën veriore, por jo në atë jugore. Jugut të vendit do të jepet një periudhë vetëqeverisjeje 6 vjeçare, në fund të së cilës do të mbajë një referendum nëse të mbetet pjesë e Sudanit apo jo. Marrëveshja e paqes parashikon që udhëheqësi kryengritës, Xhon Garang të bëhet nënpresidenti i parë i Sudanit, duke zëvendësuar titullarin e tanishëm, Ali Osman Muhamed Taha.

Marrëveshja hedh edhe bazat e një sisitemi të ri federalist për gjithë Sudanin, përfshirë decentralizimin e pushtetit dhe hapjen e sisitemit politik në Hartum. Megjithatë, marrëveshja nuk zgjidh konfliktin në rajonin perëndimor Darfur të këtij vendi. Mijëra afrikano sudznezë janë vrarë në sulmet kundër fshatrave të tyre nga ana e milicitë arabe Xhanxhavit të mbështetura nga qeveria sudaneze. Sulmet kanë detyruar rreth 2 milionë banorë të braktisin shtëpitë dhe të vendosën nëpër kampe, ku dhjetëra mijëra kanë vdekur nga sëmundjet dhe mungesa e ushqimit.

Sekretari amerikan i Shtetit, Kolin Pauëll, i bëri thirrje qeverisë dhe Lëvizjes Popullore Çlirimtare të Sudanit që t’i japin fund konfliktit: Këta partnerë të ri për paqe duhet të punojnë së bashku menjëherë për t’u dhënë fund dhunës dhe mizorive që vazhdojnë të ndodhin në Darfur, jo muajin e ardhshëm apo gjatë një periudhe kalimtare, por tani, duke filluar nga sot. Shtetet e Bashkuara dhe i gjithë komuniteti borëror presin që partnerët e rinjë të përdorin të gjitha mjetet e nevojshme për të ndaluar dhunën dhe ne presim zhvillimin e negociatave të shpejta për zgjidhjen e krizës në Darfur.”

Shtetet e Bashkuara shpresojnë t’i përmirësojnë marrëdhëniet me Sudanin, ndaj të cilit janë vendosur sanksioneve të rrepta amerikane prej shumë vjetësh. Por, Sekretari Pauëll paralajmëroi se “realizimi i objektivit të zhvillimit të marrëdhënieve pozitive do të jetë i mundshëm vetëm nëpërmjet arritjes së paqes në gjithë vendin.”

XS
SM
MD
LG