Lidhje

Ukrainë: KQZ-ja deklaron zyrtarisht Viktor Jushçenkon president të ardhshëm të vendit - 2005-01-14


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Ukrainë deklaroi zyrtarisht Viktor Jushçenkon president të ardhshëm të vendit. Kryetari i komisionit, Jarosllav Davidoviç, tha se zoti Jushçenko fitoi sondazhin e përsëritur të zgjedhjeve presidenciale vetëm me pak mbi 2 milionë vota. Sipas zotit Davidoviç, Viktor Jushçenko fitoi 55 për qind të votave, kurse rivali i tij, ish Kryeministri Viktor Janukoviç, mori 44 për qind.

Raundi i dytë i zgjedhjeve u përsërit pasi Gjykata e Lartë e Ukrainës shpalli të pavlefshme rezultatet e sondazhit të parë, duke e deklaruar atë si të metë për shkak të parregullsive serioze. Gjykata e Lartë ukrainase tani ka hedhur poshtë edhe ankesat rreth sondazhit të fundit të votimit.

Lena, një banore 21 vjeçare e Kievit, thotë se beteja për demokraci në Ukrainë është plotësisht e meritueshme. Ajo thekson se beteja rreth zgjedhjeve ka ndihmuar ukrainasit të gjejnë zërin e tyre si komb. Lena thotë se shpreson që presidenti i zgjedhur Jushçenko do të ndihmojë për ta sjellë Ukrainin në komunitetin demokratik të vendeve perëndimore. Gjatë fushatës së tij, zoti Jushçenko premtoi se do ta ndihmojë Ukrainën të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian dhe e Natos. Ai ka premtuar edhe se do të çrrënjosë korrupsionin qeveritar.

Një çështje me të cilën do të përballet menjëherë presidenti i zgjedhur Jushçenko është nëse të tërheqë trupat e Ukrainës nga Iraku. Presidenti i tanishëm, Leonid Kuçma, u ka dhënë urdhër ministrave të qeverisë të hartojnë një plan për një tërheqje trupash brenda 6 muajsh.

Por, zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Adam Ereli, tha se kjo është një çështje, rreth së cilës do të vendosin presidenti i ardhshëm dhe parlamenti i ti: “Ne presim pa pikë dyshimi që çdo ndryshim në kontingjentin e Ukrainës të bëhet përmes këshillimeve të plota me forcën shumëkombëshe dhe në mënyrë të përshtatshme. Ato që do të bëhen në të ardhmen, theksoi zëdhënësi Ereli, nuk do të pakësojnë në asnjë mënyrë vlerën e atyre që janë bërë në të kaluarën, gjë që në rastin e trupave ukrainase ka qenë shërbimi i guximshëm dhe i vendosur në mbështetje të një kauze fisnike.”

Zoti Ereli tha se Ukraina është partnere e rëndësishme në koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak. Shtetet e Bashkuara vlerësojnë lartë ndihmesën e trupave ukrainase dhe njohin skarificat e tyre. Pasi zoti Jushçenko të fillojë nga detyra, Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të babshkëpunojnë me Ukrainën nrreth kësaj dhe çështjeve të tjera. LEADOUT: Dëgjuat komentin ku u shprehën pikëpamjet e qeverisë së Shteteve të Bashkuara.

XS
SM
MD
LG