Lidhje

Një ushtar amerikan dënohet me 10 vjet burgim për abuzimin e të burgosurve irakianë  - 2005-01-16


Një ushtar amerikan i shpallur fajtor nën akuzat për abuzimin e të burgosurve irakianë, është dënuar me 10 vjet burgim për rolin e tij në skandalin e burgut Abu Ghraib të Bagdadit.

Një gjykatë ushtarake në Fort Hood të Teksasit shqiptoi dje dënimin me burgim kundër ushtarit Charles Graner. Pasi të vuajë dënimin me burgim, ai do të përjashtohet pa nderime edhe nga rradhët e forcave ushtarake.

Gjatë fazës përfundimtare të procesit gjyqësor, ushtari Graner tha dje se kontraktorët civilë dhe oficerë ushtarakë të zbulimit e kishin urdhëruar të bënte ato që fotografitë e paraqesin atë duke bërë kundër të burgosurve në Abu Graib.

Të premtën, juria ushtarake prej 10 anëtarësh hodhi poshtë argumentet e palës mbrojtëse se ushtari Graner dhe roje të tjera po zbatonin urdhërat kur ata abuzuan të ndaluarit. Juria e shpalli fajtor ushtarin Graner nën akuzat për komplot, shpërdorim të detyrës, keqtrajtim, sulme fizike dhe akte të pahijshme.

Prokurorët thanë se rezervisti 36 vjeçar ndjente kënaqësi kur shikonte të burgosurit duke vuajtur.

XS
SM
MD
LG