Lidhje

Simbolika e ceremonive të inagurimit të presidentit  - 2005-01-20


Rituali i ceremonive të inagurimit të presidentit e ka fillesën në vitin 1789, kur bëri betimin presidenti i parë amerikan George Washington.

Për shumë amerikanë, akti i thjeshtë i betimit të një presidenti të ri, apo të rizgjedhur në shkallët e ndërtesës së Kongresit amerikan është kthyer në një simbol të transferimit paqësor të pushtetit dhe vazhdimësisë së procesit demokratik në Amerikë.

Marvin Kranz është historian në Bibliotekën e Kongresit.

“Do të thosha që kjo është një nga ngjarjet e mëdha në atë që mund ta quajmë fenë civile të këtij vendi. Megjithëse shumë nga presidentët janë shprehur se po bëjnë betimin sipas vullnetit të Zotit, bëhet fjalë në thelb për një ceremoni civile. Është diçka që bëhet çdo katër vjet, qoftë në kohë lufte, apo paqeje, pavarësisht nga rrethanat”.

Procesi i inaugurimit, betimi, fjalimi për marrjen e detyrës, parada dhe ballot zyrtare, shpesh kanë ndihmuar vendin të lërë mënjanë klimën e hidhur politike krijuar nga mosmarrëveshjet e zgjedhjeve që kanë karakterizuar fushatat që pas krijimit të republikës.

Kur një president humb zgjedhjet, ekspertët politikë thonë se është e rëndësishme që publiku të shohë atë që ka fituar dhe atë që ka humbur krah për krah në ceremoninë e betimit, si dëshmi për qëndrueshmërinë e vendit dhe vazhdimësinë politike, pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve.

Një frymë e tillë zotëroi edhe në ceremoninë e parë të betimit për Presidentin Bush, para katër vjetësh, kur kandidati demokrat ndaj të cilit ai fitoi me një diferencë fare të vogël, ish-nënpresidenti Al Gore, qendronte në të njejtën radhë përkrah presidentit që i kishte mbaruar mandati, Bill Clinton.

Pika kulmore e ceremonisë është zakonisht fjalimi i presidentit, një traditë që historiani Marvin Kanz thotë se filloi që në kohën e Presidentit amerikan George Washington. “Kjo është bërë tashmë traditë. Fjalimi i parë i Washingtonit, ishte vërtet i jashtëzakonshëm. Në fjalimin e tij për mandatin e dytë, ai kishte vetëm dy paragrafë. Kështuqë ai është më i shkurtri. Por kjo traditë thjesht u pranua dhe të gjithë presidentët që atëherë kanë mbajtur fjalime në inaugurime”.

Historiani Kranz thotë se ajo që e bën një fjalim të tillë të paharrueshëm, është fakti që ai mbetet në histori.

Ndër fjalimet që janë ngulitur më shumë në kujtesën historike, ishte fjalimi për mandatin e dytë të Abraham Lincolnit, që përkoi me fundin e Luftës Civile Amerikane në vitin 1865. “Pa keqdashje ndaj askujt, me zemërgjerësi ndaj gjithkujt, me besim tek drejtësia, ashtu siç na mëson zoti për të drejtën, le të përpiqemi ta çojmë deri në fund punën tonë, të shërojmë plagët e vendit, të bëjmë të pamundurën për të arritur dhe gëzuar një paqe të drejtë dhe afatgjatë mes njëri-tjetrit dhe me të gjitha vendet e tjera”.

Në vitin 1933, një president tjetër përballej me një sfidë të ndryshme. Franklen Roosevelt mbajti fjalimin e tij të inagurimit në kulmin e Depresionit të Madh dhe u kërkoi amerikanëve të mos dorëzohen para frikës dhe dëshpërimit. “...E vetmja gjë që duhet të na frikësojë, është frika vetë”.

Në vitin 1961 Presidenti Kennedy, që sapo fillonte detyrën, përmes fjalimit të inaugurimit u përpoq të nxiste amerikanët që të hynin në shërbimim publik, me një thirrje që u shndërrua në një apel për një brez të tërë. “Kështu bashkëkombasit e mi amerikanë, mos pyesni se çfarë mund të bëjë vendi për ju, pyesni veten se çfarë mund të bëni ju për vendin”.

Para katër vjetësh, Presidenti Bush u përpoq të eliminonte ndasitë politike në vend, pas zgjedhjeve ku ai fitoi ndaj Al Gorit, mes një vale të ashpër polemikash. “Pa u lodhur kurrë, pa u ndalur, duke punuar pa pushim ne angazhohemi ta ringjallim këtë ideal. Që ta bëjmë vendin më të drejtë dhe bujar, të ritheksojmë dinjitetin e jetës sonë dhe të gjithkujt tjetër”.

Me një fitore më të qartë këtë radhë, shumë analistë parashikojnë që presidenti të mos jetë aq i hapur për kompromis, ndërkohë që do të përpiqet që të paraqesë një program më konservator për reformat në taksa dhe pensione.

Megjithatë do të ketë mjaft kohë për beteja të ashpra politike pas inaugurimit.

Historiani Marvin Kranz thotë se inaugurimi është zakonisht një kohë kur amerikanët lënë mënjanë mosmarrëveshjet politike dhe vlerësojnë qëndrueshmërinë dhe vazhdimësinë e demokracisë.

XS
SM
MD
LG