Lidhje

2005a vit kritik për fqinjët grekë të Ballkanit - 2005-01-20


Diplomati grek për çështjet ballkanike thotë se viti 2005 do të jetë kritik për fqinjët grekë të Ballkanit.

Aleksandër Mallias, diplomati më i lartë grek për Ballkanin, i bëri thirrje të martën administratës së presidentit Bush t’u japë përparësi më të madhe çështjeve të Evropës juglindore. Ai tha se ky rajon ofron mundësi të konsiderueshme për një bashkëpunim të madh midis Uashingtonit dhe Bashkimit Evropian. Zoti Mallias gjithashtu sugjeroi se nuk ekziston një ndryshim i madh midis politikës amerikane dhe asaj evropiane për këtë rajon.

Zoti Mallias, i cili është i ngarkuari për çështjet e Ballkanit në Ministrinë e Jashtme të Greqisë, u tha pranishmëve në Qendrën Woodrow Wilson të Uashingtonit, se statusi i Kosovës mbetet një çështje e vështirë. Beogradi kundërshton pavarësinë e Kosovës, ndërkohë që Prishtina e kërkon atë.

Bashkimi Evropian dhe Uashingtoni thonë se mund të bëjnë rekomandime nga fundi i vitit lidhur me të ardhmen e Kosovës. Z. Mallias tha se për momentin duhet t’i jepet përparësi angazhimit të institucioneve financiare ndërkombëtare në Kosovë në mënyrë që të ulet shkalla e papunësisë prej 60 për qind. Ai tha se rritja e bashkëpunimit ndërshtetëror do të tërheqë investitorë të huaj në rajon.

”Është në dorën tonë tani që themelet e shteti janë vënë, të shikojmë sesi mund të ulim rëndësinë e kufijve shtetëror për sa u përket bashkëpunimit ekonomik, infrastrukturës dhe tërheqjes së drejtpërdrejtë të investimeve të huaja.”

Zoti Mallias mendon se udhëheqësit rajonalë janë të vendosur t’u japin fund konflikteve në mënyrë që të plotësosjnë kushtet demokratike dhe ato në fushën e të drejtave të njeriut për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ai kundërshton çdo ndryshim në kufijt e tanishëm.

”Nuk është e mundur të zgjidhet çështja e Kosovës duke e ndarë atë sipas përkatësisë etnike. Kjo, tha diplomatik grek, do të krijonte një precedent për pjesët e tjera të rajonit.”

Zoti Mallias tha se procesi i decentralizuar i vendim-marrjes është rruga më e mirë për t’u dhënë zgjidhje kërkesave të pakicave etnike për një autonomi më të madhe. Ai e cilësoi si të suksesshme Marrëveshjen e Ohrit të vitit 2001, e cila i siguroi të drejta më të mëdha pakicës shqiptare në Maqedoni.

XS
SM
MD
LG