Lidhje

Intervistë me koordinatorin e skuadrës "Shqipëria" të ndihmës për Indonezinë  - 2005-01-22


Në Kuala Lumpur ka mbërritur skuadra ”Shqipëria” me grupin e mjekëve shqiptarë që do të ndihmojnë me viktimat e cunamit në Indonezi. Disa ditë më parë, shkuan në Indonezi dy koordinatorët shqiptarë, anëtarë të lëvizjes ”Mjaft”, për të vendosur lidhje me organizatorët e ndihmave. Zëri i Amerikës intervistoi koordinatorin e skuadrës shqiptare Besiana Pesha, i cili ndodhet në Kuala Lumpur, për të marrë ekipin shqiptar që ndodhet atje.

Zëri i Amerikës: Besian mirëmbrëma, është ora 11 e darkës tek ju...

Besian Pesha : Jo, është ora 12.

Zëri i Amerikës: Kur prisni që të niseni në Indonezi me ekipin shqiptar të ndihmave?

Besian Pesha: Shpresojmë që ditën e hënë do të pajisemi me vizat indoneziane dhe menjëherë në darkë do të nisemi për në Banda Aceh.

Zëri i Amerikës: Ju vetë, bashkë me kolegun tuaj keni qenë në Indonezi disa ditë më parë, apo jo?

Besian Pesha: Po, unë jam kthyer vetëm dje nga Indonezia, nga Banda Aceh, ku situata është shumë e rënduar, mund ta thuash këtë me gojën plot dhe ka shumë punë për të bërë. Skuadra shqiptare do të japë një ndihmë të konsiderueshme në gjithë atë shkatërrim masiv që ka ndodhur.

Zëri i Amerikës: Me cilat organizata të ndihmave keni vendosur kontakt në Banda Aceh?

Besian Pesha : Në Banda Aceh, të gjitha operacionet humanitare, kryesisht në fushën e shëndetësisë, se ne aty jemi të fokusuar, janë të koordinuarar nga WHO, pra nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, si edhe nga një grup i qeverisë indoneziane. Kështu që ne do të jemi pjesë e këtij aksioni të koordinuar nga kjo organizatë botëtore e shëndetësisë dhe deri tani, është vendosur që skuadra shqiptare të punojë në një kamp, i cili është në afërsi të qytetit të Siglit, që ndodhet po në zonën e Aceh-ut.

Zëri i Amerikës: E keni vizituar ju këtë kamp më parë, para se të shkojë atje ekipi shqiptar?

Besian Pesha: Po, patjetër, e kemi vizituar kampin. Kampi ka qenë mbuluar për një javë nga një grup mjekësh vullnetarë që kishin ardhur nga vende të ndryshme të botës me iniciativën e tyre, ndërkohë që kishte për një periudhë prej një jave e gjysëm që në kamp nuk kishte asnjë lloj ndihme mjekësore, kështuqë skuadra shqiptare do të marri të gjithë mbulimin mjekësor të kampit dhe do të sigurojë që të gjithë njerëzit të cilët janë strehuar aty do të pajisen dhe do të kenë ndihmën mjekësore të duhur.

Zëri i Amerikës: Ekipi i mjekëve shqiptarë, nga çfarë specialistësh përbëhet?

Besian Pesha: Kemi mjekë me profile të ndryshme, të cilët do të jenë të aftë të punojnë në kamp, të shkëmbejnë përvojë me njëri tjetrin dhe të koordinohen. Kemi mjekë epidemiologë, kemi mjekë psikiatër, të cilët janë më shumë të specializuar në kuadrin e ndihmës psikiatrike me fëmijët, kemi edhe mjekë higjenistë dhe specialistë të shëndetit publik.

Zëri i Amerikës: Besian ju faleminderit dhe ju urojmë sukses në këtë mision fisnik tuajin.

XS
SM
MD
LG