Një grup ekstremist palestinez i lidhur me presidentin palestinez, Mahmud Abaz, thotë se është i gatshëm të pranojë një marrëveshje të kushtëzuar për armëpushim me Izraelin.
Një zëdhënës i organizatës Brigadat e Martirëve Al Aksa, krahu i armatosur i fraksionit Fatah, tha se grupi i tij do ta pranonte armëpushimin nëse Izraeli premton të ndalojë operacionet ushtarake në zonat palestineze.
Ai tha se kjo përfshin arrestimin dhe vrasjen e palestinezëve të kërkuar. Zëdhënësi tha se Izraeli duhet të pranojë edhe lirimin e palestinezëve që mban në burg.
Në të kaluarën, Izraeli nuk i ka pranuar këto kushte. Por, një ndihmës i Kryeministrit Ariel Sharon tha dje se operacionet ushtarake mund të pakësohen nëse ndalohen sulmet palestineze.