Lidhje

Vitet '30 dhe '60 në një muze fotografish në New York - 2005-01-23


Për afro 40 vjet, deri në vitin 1972, revista me ilustrime Life, ishte një institucion amerikan që dokumentonte kulturën dhe historinë e vendit, si dhe momente nga jeta në vende të tjera. Ekspozita në Qendrën e Fotografisë në New York, me ekzemplarë nga arkiva e revistave Time dhe Life, u organizua nën drejtimin e Vanessa Roccos:

“Vendosëm të përqëndrohemi në dy gjëra: së pari të tregonim diapazonin e gjerë të temave që ka mbuluar revista Life. Çdo gjë që nga temat e lehta e deri tek luftra të rëndësishme, të gjithë pasqyrimin gazetaresk që kanë gjetur këto zhvillime në faqet e revistës Life.”- thotë Rocco.

Esetë me ilustrime, pra me një tekst të shkurtër, ishin mënyra e preferuar e revistës për të shtjelluar ngjarjet e jetës së përditshme, zhvillimet e ditës si dhe çështjet politike dhe sociale. Një ndër fotografet më të njohura amerikane, Margaret Burke-White, ishte autore e ilustrimit që u botua në kopertinën e numrit të parë të revistës në nëntor 1936. Artikulli përqëndrohej në ndërtimin e Digës Fort Peck në Montane:

“Fotografia e turbinës së digës është në një farë mënyrë një shembull klasik i stilit të fotografisë moderniste-estetike. Por është interesante të shihet se Margaret Bourke-White ishte në gjendje të dokumentonte momente nga jeta, si përshembull punëtorët në banesat e tyre provizore në Montana gjatë periudhës së ndërtimit të digës.”

Margaret Bourke-White udhëtoi në mbarë botën duke marrë fotografi për revistën. Ajo dokumentoi ngritjen e udhëheqësit indian Mahatma Gandhi, jetën e rëndë të minatorëve të qymyrgurit në Afrikën e Jugut si dhe fotografoi pamje që ende sot kanë një efekt shumë emocional, si viktimat e nazizmit në kampe përqëndrimi. Ajo ishte vetëm një nga fotografët e mëdhenj të revistës. Fotografi i periudhës së Vietnamit, Larry Burrows fotografoi pamje të pashlyeshme të luftës dhe vdiq në Vietnam, gjatë një shërbimi si fotograf i revistës:

“Ai ishte një kompozicionalist shumë i talentuar: këndi i fotografimit ishte i mahnitshëm. Ai u afrohej ushtarëve sikur të ishte edhe vetë në betejë me ta. Kjo fotografi mund të quhet e magjishme: këtu shihen marinsat që ishin bllokuar për muaj me radhë në Qe Sanh.”- thotë Rocco.

Nga zhvillimet në Shtetet e Bashkuara revista Life dokumentoi demonstratat e vitit 1963 në Washington për të drejtat civile të pakicave zezake si dhe fjalimin “Unë kam një ëndërr” të udhëheqësit të lëvizjes Martin Luther King. Revista fotografoi edhe momente nga jeta e përditshme, për shembull gra të klasës së mesme në vitet ’40 dhe ’50 si dhe momente nga stili i jetesës së hipive në fund të viteve ’60.

Revista Life përjetësoi edhe momente nga jeta në vende të largëta, për shembull një histori mbi jetën e një familjeje në një lagje të varfër të Brazilit. Fotografi Gordon Parks e konsideronte këtë projektin e tij më të suksesshëm, pjesërisht pasi artikulli u bë shkas që disa familje amerikane të angazhoheshin për të ndihmuar të varfërit brazilianë me fonde.

Në seksionin e shkencës dhe hapësirës janë botuar pamje nga ecja e parë në Hënë, nga fotografitë e marra nga Nasa, si dhe zbulimet e reja shkencore për teknologjinë e riprodhimit: për shembull kjo fotografi e fetuseve të lopës brenda placentës, si dhe pamjet e provave atomike në Nevada të marra nga fotografi Loomis Dean:

“Këto manekinë ishin vendosur në një banesë pranë qendrës së provave për të parë se çfarë dëmesh do të pësonin nga provat. Shihet se procesi kishte një ndikim shumë tronditës.”- thotë Rocco.

Ekspozita përfundon me fotografi të aktorëve të famshëm, muzikantëve dhe sportistëve të njohur, si shembull e fuqisë që kishte shtypi në këtë sferë para përhapjes së televizorit. Ekspozita Pamje nga Jeta do të pasohet në të ardhmen me paraqitjen e fotografive të tjera të botuara nga revista Life.

XS
SM
MD
LG