Lidhje

Ministri britanik: diplomacia rruga më e mirë kundër programit bërthamor të Iranit - 2005-01-24


Sekretari britanik i Punëve të Jashtme, Xhek Stro, ndodhet në Uashington ku pritet të theksojë se diplomacia është mënyra më e mirë për të trajtuar planet bërthamore të Iranit.

Zoti Straw do të zhvillojë bisedime me Sekretaren e ardhëshme të Shtetit, Kondoliza Rajs, e cila iu përmbajt qendrimit të administratës se ndaj Teheranit duhet ushtruar një presion më i madh.

Zyrtarët amerikanë besojnë se Irani ka një program sekret armësh bërthamore, akuzë të cilën ai vend e hedh poshtë. Shtëpia e Bardhë tha javën e kaluar se nuk e përjashton mundësinë e sulmeve ushtarake për të shtypur këtë përpjekje të Iranit.

Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania kanë qënë në krye të përpjekjeve diplomatike për të bindur iranianët që të braktisin programin e tyre të pasurimit të uraniumit.

Bisedimet e zotit Straw në Uashington pritet gjithashtu të përfshijnë zgjedhjet në Irak, një çështje për të cilën Londra dhe Uashingtoni janë më afër marrëveshjes.

Peres: Jo masa të njëanshme kundër Iranit

Ish kryeministri izraelit Shimon Peres paralajmëroi vendin e tij të mos marrë veprime të njëanëshme kundër Iranit.

Në një intervistë të hënën për radion izraelite zoti Peres e quajti Iranin problemin kryesor në Lindjen e Mesme, duke cituar programin e tij bërthamor dhe përkrahjen për kryengritjen palestineze.

Por ai shtoi se izraelitët duhet të lejojnë botën të përballet me Iranin dhe me hamendjet nëse Teherani po përpiqet të zhvillojë armë të shkatërrimit në masë.

Nënpresidenti amerikan Dick Cheney shprehu shqetësim javën e kaluar se Izraeli mund të veprojë për të parandaluar Iranin në se konfirmohet se Teherani ka zhvilluar aftësi të rëndësishme bërthamore.

Të hënën kreu i agjencisë izraelite të spiunazhit tha se programi bërthamor i Iranit do të arrijë shumë shpejt në një pikë që nuk do të ketë kthesë.

Izraeli bombardoi një reaktor bërthamor të Irakut në vitin 1981. Irani ka mohuar akuzat amerikane se po zhvillon fshehurazi një program bërthamor armësh.

XS
SM
MD
LG