Lidhje

Në ndekje të Iranit - 2005-01-24


Artikulli i një gazetari të njohur botuar në revistën The New Yorker pretendon se forca speciale amerikane kanë hyrë në Iran në kuadër të përgatitjeve për veprime të mundshme ushtarake. Presidenti Bush thotë se nuk mund ta përjashtojë mundësinë e një ndeshjeje të tillë, nëse Irani vazhdon përpjekjet për të prodhuar armë bërthamore. Nga ana tjetër, udhëheqës iranianë thonë se artikulli është një bllof dhe paralajmërojnë se do të kundërpërgjigjen, po qe se Irani sulmohet.

Administrata e presidentit Bush vazhdon të jetë e përkushtuar ndaj objektivit të vendosjes së demokracisë në Lindjen e Mesme, shkruan Seymour Hersh në revistën The New Yorker. Ai shkruan se forca speciale amerikane kanë hyrë fshehtas në Iran në kërkim të vendodhjeve të materialeve bërthamore dhe raketave të cilat mund të bëheshin objekte të një sulmi ushtarak. Një konsulent i qeverisë me lidhje të ngushta me Pentagonin i tha zotit Hersh se autoritetet civile të Pentagonit dëshërojnë të ndërhyjnë në Iran e të shkatërrojnë infrastrukturë ushtarake sa më shumë që të jetë e mundur.

Rizgjedhja e Presidentit Bush e bëri të mundur këtë plan, shkruan zoti Hersh. Shtëpia e Bardhë e ndien se gëzon mbështetje për politikat e saj ndaj Lindjes së Mesme dhe vazhdon ta shtojë kontrollin ndaj ushtrisë e CIA-s. Ai shkruan se Shtëpia e Bardhë gjithashtu po përpiqet me forcë të pakësojë mbikqyrjen e veprimeve të saj nga ana e Kongresit amerikan. Philip Girarldi, ish-oficer i fshehtë i CIA-s, e pranon mundësinë e një sulmi të tillë kundër Iranit. ”Ndoshta, atyre që do të dëshëronin një pushtim në shkallë të gjerë të Iranit, u ka rënë dëshira pas asaj që ndodhi në Irak. Në fund të fundit, Irani ka territor dhe popullsi shumë më të madhe se Iraku. Mendoj se do të jetë një fushatë e fshehtë në shkallëzim”.

Patrick Clawson, nëndrejtor në Institutin për Lindjen e Afërme, thotë se duke patur parasysh problemet në Irak, ndërhyrja e fshehtë është rrugë e arësyeshme si për zyrtarët amerikanë, ashtu edhe izraelitë. Udhëheqës izraelitë kanë thënë disa herë se nuk mund të jetojnë nën kërcënimin e një Irani të pajisur me armë bërthamore. Nënpresidenti amerikan Dick Cheney paralajmëron se, po qe se diplomacia nuk jep rezultat, Izraeli mund të vendosë të bombardojë Iranin.

Duke iu përgjigjur artikullit të zotit Hersh, zëdhënësi i Pentagonit, Lawrence DiRita, thotë se shkrimi nuk arrin të shpjegojë sfidën iraniane ndaj bashkësisë botërore dhe se ai përmban gabime aq të shumta sa i mungon besueshmëria. Ai shton se shkrimi bazohet në thashetheme, aludime dhe takime që nuk janë zhvilluar kurrë. Edhe ish-oficeri ushtarak i zbulimit, Ralph Peters, mendon se artikulli është i pabazë. ”Çdo ushtri bën plane paraprake për të gjitha alternativat. Madje, ajo bën plane edhe për alternativa mjaft ekstreme, pasi përndryshe nuk quhet e parapërgatitur. Do të ishte çmenduri të mendohet se Shtetet e Bashkuara nuk po zhvillojnë veprimtari zbulimi në Iran, lidhur me instalimet ku mullahët iranianë mund të jenë duke zhvilluar një bombë atomike”.

Një problem tjetër del në rastin e reagimit të Iranit ndaj një sulmi ushtarake. Më 1981-shin, flota ajrore izraelite shkatërroi reaktorin bërthamor Osirak në Irak, por impiantet iraniane janë më të maskuara dhe të shpërndara. Nuk ka garanci se mund të goditen të gjitha. Edhe Irani ka raketa që mund të arrijnë Izraelin dhe do të shkaktonte probleme më të mëdha në Irakun fqinj.

Zoti Giraldi thotë se po qe se synimi është ndryshimi i regjimit, nuk ka gjasa se iranianët do të bashkëpunojnë. ”Do të reagonin si çdo popull tjetër. Aktualisht, ekzistojnë ndarje të konsiderueshme politike në Iran ndërmjet të moderuarve dhe konservatorëve, por sejcili do të bashkohet rreth flamurit, kur një pushtues i huaj del përballë”.

Zoti Giraldi thotë se Irani është rrezik për fqinjët e tij e më tej, por se kjo duhet të vështruar në një plan më të gjerë. Ai thotë se druhet që disa elementë të ddmisnitratës së Presidentit Bush kërkojnë një luftë më të gjerë kundër terrorizmit, cilido qoftë rreziku. ”Për ta ekziston një çështje që i bën pa vlerë të tjerat: lufta kundër terrorizmit i ka thyer të gjitha rregullat, gjë që do të thotë se ata mund të përcaktojnë rregulla të reja. Ka shumë zyrtarë në administratë dhe përkrahës së saj që do të pëlqenin një luftë në front më të gjerë, mundësisht një luftë botërore e drejtuar nga Shtetet e Bashkuara kundër Islamit”.

Por Ralph Peters thotë se luftën kundër terrorizmit nuk e zgjodhi Amerika, por iu imponua. Ai thotë se synimi i saj nuk është vetëm fitorja e kësaj lufte, por edhe vendosja e demokracisë. Ai shpreson që zgjedhjet në Irak të bëhen një shembull demokratik në rajon.

XS
SM
MD
LG