Lidhje

Senati debaton kandidaturën e Kondoliza Rajs në postin e Sekretares së Shtetit - 2005-01-25


Senatori Richard Lugar, republikan nga Indiana dhe kryetar i Komisionit të Senatit për punët e Jashtme, hapi debatin duke mbështetur fuqimisht zonjën Rajs, e cila shërbeu në postin e Këshilltarit të Sigurimit Kombëtar në mandantin e parë të Presidentit Bush.

“Besueshmëria e Amerikës në botë, përparimi i bërë në luftën kundër terrorizmit dhe marrëdhëniet tona me aleatët do të ndikohen së tepërmi nga vendimet e Sekretares së Shtetit dhe nga puna e Departamentit të Shtetit në vitet e ardhëshme. Doktore Rajs është shumë e kualifikuar për t’i përballuar këto sfida”.

Senatori Lugar përmendi si një nga sfidat më të mëdha në këtë kontekst përpjekjet e Shteteve të Bashkuara në mospërhapjen e armëve, përfshirë ato kimike e biologjike, që rezulton se kanë një përhapje të gjerë nëpër botë. Ai solli si shembull Shqipërinë, ku bashkëpunimi me qeverinë shqiptare ka qënë i sukseshëm, e megjithatë koha mbetet një faktor themelor.

“Përvoja jonë e kohëve të fundit në Shqipëri shërben për të ilustruar nevojën për të pakësuar vonesat burokratike. Vitin e kaluar, në 2004-ën, Shqipëria kërkoi ndihmë për të eliminuar 16 ton agjentësh kimikë që kishin mbetur që nga periudha e luftës së ftohtë. Në gusht të vitit të kaluar unë e vizitova vendin ku janë magazinuar këta agjentë kimikë dhe që mbaht ende sekret. Zyrtarët e programit Nun-Lugar po punojnë nga afër me zyrtarët shqiptarë për të shkatërruar këtë arsenal të rrezikshëm armësh kimike. Që nga fillimi deri në fund, procesi burokratik i autorizimit për të shkatërruar armët kimike në Shqipëri zgjati më shumë se tri muaj, kryesisht për shkak të ligjeve në fuqi. Për fat të mirë gjendja në Shqipëri nuk ka qënë kritike, por ne mund të mos jemi në gjendje të presim një kohë kaq të gjatë në raste urgjente që kanë të bëjnë me mospërhapjen e armëve”.

Por disa demokratë argumentojnë se zonja Rajs e keqinformoi vendin kur argumentoi domosdoshmërinë e luftës në Irak, para pushtimit. Zonja Rajs dhe të tjerë në administratë cituan armët e shkatërrimit në masë në Irak si shkakun kryesor për hyrjen në luftë, por deri tani asnjë lloj arme e tillë nuk është gjetur.

Senatori Ted Kennedy nga Massachusetts, që ka kritikuar që në fillimin politikën e administratës në Irak, tha se do të votonte kundër emërimit të zonjës Rajs.

“Doktore Rajs ishte një anëtare me rëndësi e ekipit të Sigurimit Kombëtar që hartoi dhe justifikoi arsyet për të hyrë në luftë, që ka qënë një dështim katastrofik, një batak paanë e fund. Në këto rethana, ajo nuk duhet të emërohet në postin e Sekretarit të Shtetit”.

Një tjetër demokrat që votoi në favor të luftës është dakord me këtë pikpamje. Senatori Evan Bayh nga Indiana tha se edhe ai do ta kundërshtojë emërimin e zonjës Rajs, sepse, siç u shpreh ai, nuk mund ta mbështesë ngritjen në post të një personi që premton se do të ndjekë edhe më tej të njejtën politikë të dështuar në Irak.

“Ata që ishin në krye duhet të mbahen përgjegjës për gabimet. Ne duhet të mësojmë prej tyre, t’i koregjojmë ato, në mënyrë që të fitojmë në Irak. Në qoftë se Presidenti i Shteteve të Bashkuara nuk do ta bëjë një gjë të tillë, atëhere atë duhet ta bëjë Senati”.

Por demokratë të tjerë e shikojnë këtë ndryshe. Senatori Joe Lieberman i shtetit Connecticut, një tjetër mbështetës i luftës në Irak, do të votojë për konfirmimin e zonjës Rajs.

“Një nga faktorët më me peshë që Kondolica Rajs i sjell zyrës së Sekretarit të Shtetit është se e gjithë bota e di se ajo gëzon besimin e Presidentit”.

Senatori Lieberman shprehu kështu pikpamjen e shumë ligjvënësve. Megjithë kundërshtimin e disa Demokratëve, Senati pritet ta miratojë pa vështirësi kandidaturën e zonjës Rajs për të pasuar Sekretarin e Shtetit, Colin Powell, në votimin që është caktuar të mbahet nesër.

XS
SM
MD
LG