Lidhje

Gjurmët e dy fotografëve shqiptarë në historinë amerikane - 2005-01-26


Në historinë e artit fotografik amerikan gjate mes shekullit të kaluar spikasin dy emra, që të dy shqiptarë dhe që të dy nga Korça; Ata janë Gjon Mili, fotografitë e të cilit në vitet 1930-40 mbizotëronin kopertinat e revistës së njohur Life; dhe i dyti, Dhimiter Mborja, fotografitë e të cilit sot përdoren nga historianët si burime referimi dhe dokumentimi për pasqyrimin e veprimtarisë së generalit amerikan Douglas MacArthur, një prej ushtarakëve më të shquar gjatë luftës së dytë boterore.

Historianët thonë se nëse Aleksandri i Madh nuk do të kishte patur pranë historianin Kalisthenis që shkroi me hollësi mbi fushatat e tij, bota sot do të dinte shumë pak rreth këtij këtij gjeniu ushtarak. Pjesërisht e njëjta gjë mund të thuhet edhe për një prej gjeneralëve me të mëdhenj të historise amerikane.

Drejtori i qendrës muzeale Douglas MacArthur në Norfolk të shtetit Virxhinia, William Davis thotë se pa këte trashëgimi fotografish që la pas Dhimiter Mborja, muzeu i gjeneral Macarthurit sot do të ndjehej tepër i varfër.

“Pamjet e fotografive janë krejt të veçanta, Ne jemi me shumë fat që kemi koleksionin ndoshta më të madh me fotografi, të cilin na i la Mborja, Ato tregojnë historinë shoqërore e kulturore menjëherë pas luftës, si dhe rolin e rëndësishem që luajti gjeneral MacArthuri në rindërtimin ekonomik dhe institucional të Japonisë. Në ndjehemi shumë, shumë krenar për këtë koleksion”, thotë koloneli në pension William Davis.

Qendra muzeale Douglas MacArthur ruan në arkivin e saj rreth 45 mije fotografi dhe diapozitivë shumë prej të cilave Mborja i realizoi gjatë periudhës mbi 10 vjeçare si drejtor i Laboratorit fotografik pranë shtabit të komandës së gjeneral MacArthurit pas luftes se dyte botërore në Japoni, Filipine e Kore.

Shefi i arkivit të këtij muzeu, James Zobel thotë se sa më shumë vite që kalojnë aq edhe me e veshtirë bëhet puna për klasifikimin apo identifikin e shumë prej fotografive.

“Ne na vijnë shumë vizitorë nga Japonia dhe prej tyre mësojmë se çfarë paraqet kjo apo ajo fotografi. Shembull tjetër është fakti se ne kemi shumë fotografi që Mborja i ka realizuar kur shërbente në Ballkan me misionin e OKB-së për rindërtim ose UNRA më 1945-46, por ai nuk ka lënë asnjë mbishkrim apo shënim sqarues rreth pamjeve apo njerëzve në to, ndërsa historianët ballkanas ndoshta nuk dinë gjë për ekzistencën e këtij koleksioni”. Zoti Zobel thotë se fotografitë e Mborjes janë të mrekullueshme jo vetem nga përmbajtja por edhe nga niveli artistik.

“Mborja ishte mjeshtër i artit fotografik, veçanërisht të llojit sizoret. Para disa kohësh ketu në muze erdhi një studiues nga Kalifornia për të mesuar dicka më shumë rreth Mborjes. Ai është duke shkruar një libër rreth artistëve më të mëdhenj të artit sizoret dhe mes tyre përfshin edhe Mborjen”, thotë zoti Zobel.

Dhimitër Mborja lindi në Korçe në vitin 1903. Ai ishte vetëm 9 vjeç kur erdhi në Amerikë prane xhaxhait të tij në Detroit. Pas studimeve në një kolegj të artit fotografik Mborja vendoset në Los Anxheles, në Hollywood si regjisor filmash vizatimor. Filmi i tij i parë me kartona mendohet të jetë seriali Cubby the Bear në vitet 20. Në vitet 1930 Mborja realizon figurat plastike lëvizëse të dinosaurve për filmin Lost World dhe pastaj studion e tij i a shet Walt Disneyt. Më 1942 Mborja hyn në radhët e ushtrisë amerikane si fotograf.

Edhe Gjon Mili lindi ne Korce ne vitin 1904. dhe po ashtu si Mborja erdhi në Amerikë nga mesi i viteve 1910. Duket se ai u vendos fillimisht në Boston, ku më 1927 diplomohet si inxhinjer elektrik nga Instituti Teknologjik i Masachusetsit, MIT ku filloi të merrej edhe me fotografi si një nga eksperimentuesit e parë të flashit eletronik. Fotografitë e Gjon Milit sot cilesohen sot si monumentale dhe vazhdojnë të jenë objekt studimi nga ekspertë të këtij arti.

Mili e Mborja janë dy jetë paralele; Megjithese që të dy me prejardhje nga i njëjti qytet, Korça, jetuan në të njëjtin vend, në të njëjtën periudhë dhe ushtruan me të njëjtin përkushtim të njëjtin profesion, prapseprape asgjë nuk dihet nëse midis tyre ka ekzistuar ndonjë bashkepunim, ose të paktën në se e kanë njohur njeri tjetrin.

Gjon Mili vdiq në vitin 1984 në New York dhe fotografitë e tij zenë vend herë pas here në ekspozita të ndryshme artistike. Ndërsa filmi muzikor Jammin’ the Blues, realizuar prej Milit më 1945, ka hyrë në fondin e filmave më të mirë klasikë amerikan.

Dhimitër Mborja vdiq më 1990 në Bethesda të Marilandit dhe la me testament një shumë prej rreth 500 mijë dollarësh, një numër fotografishë dhe një koleksion të pasur veprash arti, që të përdoreshin për hapjen e një muzeu në qytetin e tij të lindjes. Në vitin 2003 amaneti i tij u bë realitet dhe muzeu i artit oriental, i vetmi i këtij lloji në Ballkan, hapi dyert në qytetin e Korçes.

“Për mendimin tim”, thotë arkivisti Zobel, “Mborja ishte gjeni. Ai erdhi në këtë vend pa asnjë gjë; me punën e tij arriti të bëhej i famshëm kjo mjafton për të treguar karakterin e tij të fortë”.

Drejtori i Muzeut Douglas MacArthur në Norflok, thotë se Mborja shërben sot si një urë lidhjeje midis dy popujve dhe shqiptarët duhet të ndjehen po aq krenarë sa edhe amerikanët për ketë bir të shquar që bëri aq shumë për të regjistruar me aparatin e tij fotografik pjesë të një periudhe të rëndësishme të historisë amerikane.

XS
SM
MD
LG