Lidhje

Intervistë me drejtorin e projektit për Kosovën të Grupit Ndërkombëtar të Krizave, Aleks Anderson - 2005-01-27


Raporti i Grupit Ndërkombëtar të Krizave mbi zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës thekson me të madhe nevojën e një zgjidhjes së statusit përfundimtar për të parandaluar një krizë të mundshme që do të rrezikonte arritjet e deritanishme të komunitetit ndërkombëtar. Drejtori i Projektit të kësaj organizate për Kosovën, Alex Anderson, thekson se ka ardhur koha që komuniteti ndërkombëtar të marrë një qëndrim të qartë për statusin përfundimtar. Derisa të gjitha komunitetet ta kenë të qartë drejtimin që do të marrë Kosova, shton ai, nuk do të ketë një paqe të qëndrueshme dhe një shoqëri shumëetnike.

Zëri i Amerikës: Zoti Anderson, në raport theksohet se nëse vazhdon statu-kuoja, Kosova mund të mbërthehet nga kriza. Për çfarë krize bëhet fjalë? Si pritet të keqësohet situata?

Aleks Anderson: Mendoj se 2005-a është një vit i rëndësishëm si politikisht ashtu edhe ekonomikisht për Kosovën. Shohim që shumica e popullsinë shqiptare po e humb durimin me gjendjen ekonomike si dhe administrimin e pakënaqshëm nga UNMIK-u. Ata e shohin mesin e vitit 2005 si periudhë për rishikimin e standarteve në mënyrë që të kalohet në procesin e statusit përfundimtar. Është momenti kur komuniteti ndërkombëtar duhet të bëjë përpara drejt njohjes së pavarësisë së tyre. Nga ana ekonomike, institucionet ndërkombëtare financiare pohojnë se Kosova ndeshet me vështirësi të mëdha për arritjen e rimëkëmbjes ekonomike nëse nuk përcaktohet statusi përfundimtar, pasi pengohen investimet. Ndërkaq donatorët e huaj kanë filluar të tërhiqen. Po rrëshqasim drejt një humnere ekonomike. Të gjithë këta faktorë tregojnë se nuk ka mbetur më shumë kohë për të përcaktuar statusin përfundimtar, pra për të përcaktuar kornizën e re shtetërore të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Çfarë komentesh ka pasur nga komuniteti serb në Kosovë si dhe nga Beigradi lidhur me raportin që sapo publikuat?

Aleks Anderson: Së pari Beogradi ka reaguar negativisht, ndaj raportit, siç edhe pritej. Ministri i jashtëm Drashkoviç e cilësoi raportin “katastrofik dhe të jashtëligjshëm”. Nga serbët e Kosovës një faktor në mungesën e reagimeve është edhe fakti që ende nuk kemi arritur ta përkthejmë raporti në serbisht. Por të mos pretendojmë se presim që ky komunitet do ta presë idenë e pavarësisë së Kosovës me entuziazëm. Me rëndësi është fakti që ne po paraqesim një proces drejt pavarësisë dhe barra kryesore bie mbi shumicën shqiptare, e cila duhet të tregojë se është në gjendje të respektojë të drejtat e pakicës serbe. Kushtet që kemi këshilluar të përfshihen në këtë paketë para përcaktimit të statusit janë: një mision vëzhgues për Kosovën, angazhim ndërkombëtar në sistemin gjyqësor të Kosovës dhe roli i Natos për sigurimin.

Zëri i Amerikës: Angazhimi i pakicave serbe në institucionet e Kosovës ngrihet me të madhe. Sipas mendimit tuaj ku qëndron problemi që në këtë drejtim nuk ka pasur shumë përparim?

Aleks Anderson: Kosova aktualisht është një territor i diskutueshëm. Megjithëse luftimet kanë përfunduar, lufta vetë nuk ka mbaruar. Në Kosovë komunitetet janë aktualisht aq të izoluara nga njëri-tjetri sa edhe 6 vjet më parë. Prandaj është e nevojshme që komuniteti ndërkombëtar të marrë një vendim lidhur me të ardhmen e Kosovës. Nëse të gjitha komunitetet nuk e kanë të qartë se çfarë drejtimi ka marrë Kosova dhe çfarë kornize shtetërore do të krijohet, nuk do të ketë përparim drejt vendosjes së një paqeje të qëndrueshme.

Zëri i Amerikës: Në raport Grupi Ndërkombëtar i Krizave rekomandon një zgjidhje që Kosova të vazhdojë të mbetet në kufijtë aktualë, por të njihet sovraniteti i saj. Sa i mundur do të jetë krijimi i një shoqërie shumëetnike, duke pasur parasysh që kjo nuk është realizuar deri tani. A mund të ishte një zgjidhje më pragmatike që të bëhej një ndarje e Kosovës në vija etnike?

Aleks Anderson Ne e kemi ngritur çështjen nëse duhet shqyrtuar mundësia e ndarjes së Kosovës dhe jemi kundër kësaj ideje. Do të ishte shumë e rrezikshme që në Ballkan të kishte ndryshime kufijsh, veçanërisht në vija etnike. Të mos harrojmë se në Kosovë vetëm afro 1 e treta e pakicave serbe jetojnë në veri të lumit Ibër, një rajon i cili mund të shkëputej nga Kosova nëse ndryshohen kufijtë. Por 2 të tretat e popullsisë serbe jeton në jug të lumit Ibër. Nëse ka një ndarje të tillë në baza etnike, do të merrte hov nacionalizimi. Të gjitha përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për të njohur të drejtat e pakicave do të dështonin. Pakicat serbe që jetojnë në jug të lumit Ibër do të ndesheshin me një të ardhme shumë të pasigurtë dhe mund të pasonte një zhvendosje dramatike popullatash. Ndarja e Kosovës do të ishte e rrezikshme edhe për rajonin pasi do të krijonte trysni të reja në Maqedoni, do të trondiste ekzistencën e Bosnjë-Hercegovinës dhe do të hapte probleme edhe në Serbi, pasi do të ngjallte të njëjtat kërkesa nga shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe pakicat hungareze në Vojvodinë.

Zëri i Amerikës: Nëse Beogradi nuk u përgjigjet thirjeve të komunitetit ndërkombëtar çfarë precendetësh ka që komuniteti ndërkombëtar, për shembull Kombet e Bashkuara të njohin sovranitetin e Kosovës, pra shkëputjen e saj ligjërisht nga Serbia?

Aleks Anderson Kombet e Bashkuara do të preferonin të njihnin si shtete territore të shkëputura, pasi është arritur marrëveshje me vendin nga po shkëputen, siç ishte rasti i Bangladeshit në vitet ’70, apo Eritrea në në fillim të viteve ’90. Do të ishte shumë e pëlqyeshme që negociatat për statusin e ri të Kosovës të përfshinin edhe Serbinë; që Beogradi të angazhohej në përcaktimin e kushteve për të drejtat e pakicave. Por të flasim realisht: ky skenar nuk ka të ngjarë të materializohet brenda afatit kohor që duhet zgjidhur kjo çështje para se Kosova të kalojë në destabilitet. Kosova ka alternativa shumë të kufizuara për të arritur një formë stabiliteti dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të marrë një qëndrim të prerë. Shefi i UNMUK-ut e ka bërë këtë, kur iu drejtua Beogradit me fjalët “treni po largohet edhe nëse ju nuk jeni në bord. Ne do të donim që ju të vinit me ne, por ne do të vazhdojmë edhe pa ju.” Kosova është në një gjendje të tillë që mund të precipitojë në një situatë më të rëndë, prandaj nuk duhet mbajtur peng e këtyre mekanizmave bllokuese.

Zëri i Amerikës: Çfarë prisni të shihni nga autoritetet shqiptare të Kosovës në këtë afat kohor që parashtroni në përgatitje për zgjidhjen e statusit?

Aleks Anderson Shqiptarët e Kosovës duhet të piqen politikisht gjatë muajve të ardhshëm nëse duan të shfrytëzojnë mundësinë për të bërë realitet ambicjet e tyre për pavarësi. Deri tani kemi parë nga ana e tyre mungesë përgatitjesh, mungesë përgjegjësish dhe pjekurie. Tani që ata e shihin veten si shumica në këtë shoqëri, kanë rënë në vetkënaqësi. Qeveria e zotit Haradinaj shihej me shumë skepticizëm si nga Beogradi si dhe nga mundësia se Gjykata e Hagës mund të ngrejë akuza ndaj tij, por javët e fundit ka bërë përpjekje mjaft të fuqishme për të përparuar në drejtim të standarteve.

Zëri i Amerikës: Një ndër kushtet e përfshira në raportin e grupit ndërkombëtar të krizave është të mos ketë një bashkim ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Çfarë gjasash ka për realizimin e një skenari të tillë?

Aleks Anderson Rreziku i krijimit të një Shqipërie të madhe ngrihet më tepër jashtë Kosovës dhe jo aq në Prishtinë dhe Tiranë. Kjo ide nuk ka mbështetje reale as në Prishtinë dhe as në Tiranë dhe s’është tjetër veçse ideologji e disa grupeve ekstremiste që kanë mbështetje fare të kufizuar. Derisa miti i Shqipërisë së Madhe nuk gëzon mbështetje, përse të mos përfshihet një pikë e veçantë kundër kësaj ideje në mënyrë që të krijohet një kusht sigurie se Kosova po ecën në një drejtim të parashikueshëm.

XS
SM
MD
LG