Lidhje

Irak: shtohet dhuna në prag të zgjedhjeve  - 2005-01-27


Kryengritësit në Irak vranë sot të paktën 15 irakianë dhe sulmuan disa qendra votimi, në fushatën e tyre për të penguar mbajtjen e zgjedhjeve kombëtare të së dielës.

Dhuna tronditi disa qytete kryesisht sunite përreth Bagdadit. Policia dhe zyrtarë të spitaleve njoftuan se të paktën 15 civilë, policë dhe forca sigurimi u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën, në sulme me bomba dhe armë zjarri. Një marins amerikan gjithashtu u vra gjatë luftimeve në jug të Bagdadit.

Kryengritësit hodhën në erë shkolla dhe ndërtesa të tjera që do të shërbenin të dielën si qendra votimi. Dëshmitarët thanë se ekstremistët kishin urdhëruar që shkollat të evakuoheshin para se të aktivizonin eksplozivët.

Ndërkohë grupi terrorist i Abu Musab al-Zarqawit, përmes një deklarate të publikuar në internet, mori përgjegjësinë për vrasjen e një këshilltari të kryeministrit Iyad Allawi. Ky njoftim nuk është vërtetuar.

Ekstremistët myslimanë suni kanë deklaruar se do të pengojnë votimet, nga frika se shumica shiite do të fitojë.

XS
SM
MD
LG