Lidhje

Çfarë pritet në fjalimin e Presidentit Bush për gjendjen e vendit  - 2005-01-28


Në fjalimin e inaugurimit, Presidenti Bush u zotua se do të nxisë nismat e brendëshme me synimin afat gjatë për t’i dhënë fund tiranisë në botë.

“Ashtu si shpresa ngjall shpresa të mëtejshme, miliona të tjerë do ta gjejnë atë. Me përpjekjet tona, ne kemi ndezur edhe një zjarr, një zjarr në mendjet e njerëzve. Ai ngroh ata që ndjejnë forcën e tij, djeg ata që janë kundër përparimit, dhe një ditë ky zjarr i pashur i lirisë do të ngrohë edhe skajet më të errëta të botës”.

Por analistët politikë thonë se disa nga skajet më të errëta të botës gëzojnë tani marrëdhënie më të ngushta me Shtetet e Bashkuara për shkak të luftës kundër terrorizmit.

Thomas Carothers është autor i një libri të ri mbi nxitjen e demokracisë në Lindjen e Mesme, të botuar nga Fondacioni Carnegie për Paqen Ndërkombëtare, një grup studimor këtu në Uashington. Zoti Carothers thotë se ka një hendek të madh mes retorikës së zotit Bush rreth përhapjes së demokracisë dhe realitetit të politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara.

“Lufta kundër terrorizmit kërkon nga ne bashkëpunim në fushën e sigurisë me disa regjime mjaft shtypëse politikisht, nëse ato janë qeveritë e Pakistanit, Uzbekistanit, Malajzisë, Arabisë Saudite, e kështu me radhë”.

Zoti Carothers thotë se në mandatin e tij të parë, zoti Bush u luhat nga një individ realist, në një individ që qendroi në heshtje para shkeljes së të drejtave të njeriut nga aleatët e Shteteve të Bashkuara në luftën kundër terrorizmit, në një idealist, që thotë se demokracia i pret rrënjët radikalizmit. Zoti Carothers vë në dukje se marrëdhëniet e Shteteve të Bashkura me Pakistanin përbëjnë një shembull të tillë.

“Të marrim si shembull Pakistanin që është në duart e një diktatori që në fakt ka manipuluar ligjin për të shtuar pushtetin e tij diktatorial. Dhe pikërisht realisti Bush u takua me Musharafin e Pakistanit, dhe në një rast u shpreh se kishte lidhje të ngushta me të në luftën kundër terrorizmit dhe se për këtë ishte i interesuar. Pra kjo nuk është një deklaratë idaliste. Por pastaj ai mbajti një fjalim për endërrën e tij të lirisë nëpër botë”.

Megjiithëse në fjalimin e inaugurimti zoti Bush tha se liria ishte përparësia e tij kryesore, ai deklaroi në një konferencë shtypi kohët e fundit, se nuk do të bëheshin ndyshime në politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara. Për shembull ai tha se do të vazhdojë të punojë me Kinën për çarmatimin e Koresë së Veriut, por në të njejtën kohë u kërkoi udhëheqësve kinezë të respektojnë të drejtat e njeriut.

“Për mendimin tim politika e jashtme nuk është një praktikë që alternohet. Për mendimin tim kjo është e mundur vetëm në një vend si Shtetet e Bashkuara për t’i realizuar dy objektiva”.

Presidenti Bush ka të ngjarë ta shfrytëzojë fjalimin për gjendjen e vendit edhe për të dhënë më shumë hollësi për platformën e tij të brendëshme politike. Analistët thonë se ajo përfshin ndryshimin rrënjësor të sistemit qeveritar të pensioneve që njihet si sigurimet shoqërore.

Zoti Bush do të krijojë llogari personale investimesh për punonjësit më të rinj si një mënyrë për ta shpëtuar sistemin. Ai ka thënë se nuk do të ngrejë taksën e sigurimeve shoqërore për punonjësit e tanishëm.

John Fortier është analist politik në Institutin Amerikan Enterprise për studimet e politikës publike po këtu në Uashtington. Zoti Fortier thotë se zoti Bush do të ndeshë në kundërshtime serioze për planin e tij si nga republikanët ashtu edhe nga demokratët.

“Të fitosh votat për të dhe të sigurosh fondet, mendoj se është shumë e vështirë. Kostoja e tranzicionit, edhe në qoftë se njerëzit do të ishin të gjithë të gatshëm për ndryshimin e sistemit, është shumë e madhe, dhe duhet patur parasysh se ne kemi një deficit të madh. Të gjesh një mënyrë për ta financuar atë, duke marrë hua, duke ngritur taksat, duke shkurtuar përfitimet, të gjitha këto janë çështje kundërthënëse”.

Analistët thonë se mandati i dytë i presidentit ka patur më pak arritje legjislative. Ata thonë se zoti Bush duhet të veprojë sa më parë për të përfituar nga zgjedhja e tij në nëntor, para se burokacia qeveritare t’ia ngadalësojë ritmin e veprimit.

XS
SM
MD
LG