Lidhje

Irakianët që jetojnë jashtë vendit filluan të votojnë - 2005-01-28


Irakianët që jetojnë jashtë vendit kanë filluar të hedhin votat për zgjedhjet e përgjithshme, ndërkohë që brenda Irakut po hyjnë në fuqi masat e sigurisë për votimet e para të lira që prej afro 50 vjetësh, që do të mbahen të dielën.

Rreth 280 mijë emigrantë janë regjistruar të votojnë në qendra votimi të ngritura në 14 vende nga Australia në Suedi e deri në Shtetet e Bashkuara. Pjesëmarrja më e madhe pritet të jetë në Iran, ku janë regjistruar mbi 60 mijë irakianë.

Qendrat e votimit ishin vendosur nën masa të rrepta sigurie, ku irakianët që prisnin me padurim, disa prej tyre të mbushur me emocione, rrinin në radhë. Shume prej tyre shprehën shpresën se zgjedhjet do të vendosnin rendin dhe sigurinë në atdheun e tyre, në mënyrë që ata të ktheheshin.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara i ka nxitur të gjithë irakianët që të votojnë, duke u shprehur se “zgjedhjet janë rruga më e mirë për të përcaktuar të ardhmen e një vendi”. Në Irak, ai tha se zgjedhjet do të “sillnin një shans për të lënë pas dhunën dhe pasigurinë dhe për ecur drejt paqes dhe një qeverie të zgjedhur nga populli”.

Iraku ndërkohë po mbyll kufijtë dhe po forcon masat e sigurisë para votimeve të së dielës. Duke filluar që sot, kanë hyrë në fuqi ndalim qarkullime, është kufizuar udhëtimi dhe qarkullimi me automjete. Këto masa do të jenë në fuqi deri të hënën.

Viktima të tjera në radhët e amerikanëve në Irak

Zyrtarë irakianë thonë se kanë arrestuar tre nga ndihmësit kryesorë të Abu Musab al-Zarqavit. Ndërkohë një helikopter tjetër ushtarak amerikan u rrëzua këtë radhë pranë Bagdadit.

Zyrtarët irakianë thanë sot në dy konferenca të veçanta shtypi se tre personat ishin këshilltari ushtarak i Zarqawit, komandanti e tij në Bagdad dhe një tjetër bashkpunëtor i afërt. Grupi i al-Zarqwit, al-Qaida në Irak i ka denoncuar zgjedhjet e përgjithshme në Irak dhe është zotuar se do t’i vazhdojë sulmet.

Ndërkohë ushtria amerikane tha se po heton mbi rrëzimin e një helikopteri Kiowa të ushtrisë në Bagdadin jugperëndimor. Helikopteri ka normalisht një ekuipazh prej dy personash por nuk ka patur njoftime për viktima. Incidenti pason rrëzimin e së mërkurës të një helikopteri transporti të marinsave që shkaktoi vrasjen e 31 anëtarëve të ekuipazhin në bord.

Sot në Bagdad, kryengritësit vranë 5 ushtarë amerikanë në tre sulme të ndryshme. Katër irakianë u vranë gjithashtu në një sulm me makinë bombë në Bagdadin jugor.

Ditët e fundit, kryengritësit kanë shpërndarë fletushka ku i nxisin irakianët që të mos votojnë në zgjedhjet e së dielës dhe ku zotohen se do të sulmojnë qendrat e votimit.

XS
SM
MD
LG