Lidhje

Irak: komunitetet fetare shprehin pikëpamje të kundërta për zgjedhjet - 2005-01-29


Në prag të zgjedhjeve, irakianët shprehin pikëpamje krejt të kundërta lidhur me votimet. Dallimi kryesor shihet ndërmjet shiitëve dhe sunive, dy grupeve kryesore myslimane në vend. Shiitët, të cilët përfaqësojnë shumicën e popullsisë dhe kanë vuajtur shtypje dhe diskriminim më të madh nën Sadam Huseinin shprehen në pjesën dërrmuese se do të marrin pjesë në votime. Ndërsa sunitë, të cilët më parë ishin elita sunduese, tani tremben rezultateve të votimit dhe shprehen kundër zgjedhjeve. E gjithë kjo ka ngjallur shqetësimet se zgjedhjet do të shndërrohen në katalizator për shkallëzimin e mëtejshëm të dhunës.

Me afrimin e natës në Basrën qendrore, punonjësit e votimeve qëndrojnë në anë të rrugës duke shpërndarë pamflete që nxisin njerëzit të votojnë më 30 janar dhe u japin udhëzime si të hedhin votat.

Në pjesë të tjera të Irakut rrallë herë ka shfaqje kaq publike të punës përgatitore për zgjedhje. Punonjësit e votimeve janë nxjerrë nga automjetet dhe janë qëlluar për vdekje në mes të ditës në rrugët e Bagdatit. Zyrtarët e zgjedhjeve janë vrarë në makina bombë.

Pjesa më e madhe e organizatorëve suni po i bojkotojnë votimet. Disa irakianë në pjesën qendrore të vendit thonë se nuk do të shkojnë në votime nga frika e sulmeve.

Studentët Barrah dhe Ibrahim Mohamed nga Bagdati nuk kanë dëshirë të flasin para kamerave. Këta dy vëllezër janë myslimanë suni dhe tregojnë se ekstremistët i kanë paralajmëruar të mos flasin me mediat e huaja dhe të bojkojnë zgjedhjet ose mund të rrezikojnë jetën.

Barrah thotë se nuk do të votojë, jo nga frika, por sepse klerikë të lartë suni u kanë thënë pasuesve të tyre se votimi nuk do të bëjë gjë tjetër, veçse do të çojë në zgjedhje të padrejta për popullsinë suni.

“Ashtu siç i ndjekin shiitët udhëheqësit e tyre, edhe ne bëjmë të njëjtën gjë. Udhëheqësit tanë thonë se zgjedhjet nuk janë të ligjshme. Nuk pres që këto votime të zgjidhin gjë, prandaj nuk do të votoj,” thotë Barrah.

Ndryshe qëndron puna në jug të vendit, ku popullata shiite i ka përqafuar zgjedhjet, pjesërisht e nxitur nga kleriku kryesor shiit Ajatollahu i Madh Ali al Sistani. Ai e ka cilësuar votimin si një detyrë fetare.

Sousen Abdullah, e cila banon me të shoqin Abdullah Hatem në Bagdat, mendon se zgjedhjet e së dielës do të sjellin ndryshime për të ardhmen e çdo irakiani, jo vetëm të popullsisë shiite. Ajo thotë se kur të hedhë rrënjë demokracia në Irak, do të bëhet pengesë për ardhjen në pushtet të njerëzve si Sadam Huseini:

“Do të votoj në zgjedhje, edhe nëse e paguaj me jetën time. Besoj në këto zgjedhje dhe besoj në të ardhmen tonë. Zgjedhjet po u kthejnë irakianëve dinjitetin. Shpresoj që gjithë populli irakian të marrë pjesë në këtë proces,” thotë Sousen.

Në Basra elektriçisti Husam Jalil Ahmed punon si specialist për riparimin e rrjetit të dëmtuar elektrik të qytetit. Ai thotë se nuk ka njeri ta pengojë që të votojë:

“Pa dyshim që kam frikë, por e kam për detyrë të votoj,” thotë Husami.

Por në Basra jo të gjithë janë kaq entuziastë. Ali Abdul Zahra thotë se nuk do të votojë sepse nuk di sa duhet për kandidatët:

“Nuk kam frikë nga kërcënimet. Por nuk kam përse votoj për dikë që nuk e njoh,” thotë zoti Zahra.

Sigurimi ka qenë një shqetësim kaq i madh, saqë shumë parti kanë bërë të njohur vetëm emrat e disa kandidatëve. Ata thonë se mund të ishte me rrezik për kandidatët jo aq të fortë në këto zgjedhje të publikojnë kandidaturën e tyre, pasi mund të vihen në shenjestër të sulmeve.

Abdul Saheb Battat drejton zyrën lokale të Komisionit të Pavarur Zgjedhor të Irakut:

“Ditën e zgjedhjeve nuk do të ketë makina që lëvizin nëpër rrugë, përveç automjeteve me leje të posaçme nga komisioni zgjedhor. Njerëzit do të vijnë më këmbë në qendrat e votimit. Nëse nuk mund të vijnë më këmbë do t’i marrim ne me automjetet tona,” thotë zoti Batat.

Procesi zgjedhor i Irakut është shumë i ndërlikuar. Votuesit do të zgjedhin 275 anëtarët e asamblesë së përkohshme kombëtare, e cila do të shkruajë kushtetutën e re të vendit. Por zgjedhësit nuk mund të votojnë për kandidatët drejtpërdrejtë. Secili zgjedhës hedh votën për një nga më shumë se 200 listat ku përfshihen emrat e një numër kandidatësh që përfaqësojnë grupe të ndryshme fetare dhe etnike. Ky sistem synon të rrisë bashkëpunimin ndërmjet partive.

Pritet që Aleanca e Bashkuar Irakiane të dalë shumë mirë në zgjedhje. Ky grup përfaqëson një koalicion të partive më popullore fetare të popullsisë shiite. Shumë nga reklamat për fushatë kanë fotografinë e Ajatollahut Ali al Sistani. Shumë nga përkrahësit besojnë se aleanca ka bekimin e Ajatollahut.

Myslimanët shiitë përfaqësojnë afro 60 për qind të popullsisë në Irak. Pas dekadash të tëra shtypjeje nga Sadami, ata i shohin këto zgjedhje si një shans për të rimarrë nën kontroll vendin.

Por jo të gjithë shiitët përkrahin partitë islamiste. Tradicionalisht Basra ka qenë një qytet më liberal se sa shumë qytete të tjera në vend. Disa banorë shqetësohen nga ndikimi në rritje i klerikëve konservatorë. Disa i tremben edhe milicëve që kanë lidhje me partitë shiite.

“Do të votoj. Do të zgjedh ata që i shërbejnë vendit në listën e Ijad Allavit. Ne shtresa e arsimuar mendojmë se kjo është zgjidhja më e mirë,” thotë një banor shiit i Basrës.

Pjesëmarrja në votime në jug të vendit pritet të jetë shumë më e lartë se në Irakun qendror. Afro 13 milion vetë mendohet se kanë të drejtën e votës, por zyrtarët thonë se nuk mund të parashikojnë se sa vetë do të shkojnë në qendrat e votimit. Forcat irakiane të sigurimit dhe trupat shumëkombëshe do të mbrojnë 5 mijë qendra votimi në mbarë vendin, megjithë komandantët ushtarakë amerikanë thonë se irakianët do të kryesojnë masat e sigurimit.

XS
SM
MD
LG