Lidhje

Një kompani e pazakontë, në krye të listës së bizneseve më të mira në Amerikë - 2005-01-30


Çdo vit revista e biznesit, Fortune publikon listën e 100 kompanive më të mira për të punuar. Këtë vit, kompania që ka zënë vendin e parë, nuk është shumë e njohur për publikun amerikan. Ajo quhet Wegmans, dhe ka një rrjet dyqanesh ushqimore por skema në bazë të së cilës ajo vepron është mjaft e pazakontë. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Deanna Garcia, kjo kompani është e njohur edhe për atmosferën mjaft të veçantë që krijon për punonjësit.

Wegmans nuk është një dyqan i zakonshëm ushqimesh. Dyqani i saj kryesor në Pittsford të New Yorkut, është pothuajse sa një magazinë. Në pamje të parë të jep përshtypjen e një tregu të hapur të tipit evropian se sa të një dyqani ushqimor ku mund të gjesh edhe ëmbëlsira franceze. Kryetar i bordit të kompanisë është 86 vjeçari Robert Wegman. “Më kujtohet, kur u lirova nga Korpusi i Marinës në vitin 1945 dhe shkova te xhaxhai i cili drejtonte kompaninë. I tregova se deshiroja të punoja për të. Ai më tha që të mos i hyja biznesit të ushqimeve sepse ishte më i vështiri. Dhe kishte të drejtë.”

Wegman u bë president i kompanisë në vitin 1950. Ai kujton se vite më parë biznesi ushqimor ishte krejt ndryshe. Ishte një nga industritë me më pak fitime në Amerikë dhe punonjësit nuk gëzonin sigurime. Wegman thotë se në fillim e kishte mjaft të vështirë të jetonte vetëm me të ardhurat e biznesit. Tani, më shumë se 54 vjet më vonë, Robert Wegman thotë se karriera e tij ka arritur pikën kulmore, sepse kompania e tij ka zënë vendin e parë si kompania më e mirë për punonjësit.

“Gjithmonë më ka pëlqyer puna me njerëzit. Në fillim i quaja shokë dhe akoma vazhdoj t’i konsideroj të tillë. Nuk e di se edhe për sa kohë do ta mund të vazhdoj këtë punë....nëse nuk do të jetoja kaq gjatë, kurrë nuk do të kisha patur rastin ta merrja këtë titull.”

Ajo që e dallon kompaninë Wegmans nga bizneset e tjera është stili i punës. Motoja këtu është punonjësit të parët, klientët të dytët.

Kompania është shumë e përqendruar në marrëdhëniet e punonjësve me klientët. Sipas kompanisë, nëse punonjësit ndihen mirë, patjetër që edhe klientët do të jenë të kënaqur. Wegmans ka 67 dyqane në katër shtete. Së shpejti kjo kompani do të zgjerohet në shtetin e pestë, Maryland në lindje.

Zoti Wegman thekson se ai nuk është i interesuar për t’u bërë kompania më e madhe. I të njëjtit mendim është edhe djali i tij, presidenti i kompanisë Wegman’s, Danny Wegman. “Ajo që na kënaq nuk është nevoja për t’u zmadhuar por për të qenë sa më të mirë. Dhe që kjo të realizohet, besoj se të gjithë ne duhet të bëhemi më të mirë, dhe të mësojmë më shumë rreth punës që bëjmë, të mësojmë më shumë rreth klientëve. Ky pra është qëllimi ynë kryesor. Im atë gjithnjë ka thënë: nuk dua të jem më i madhi por dua të jem më i miri dhe besoj se kjo është mënyra më e mirë për të arritur këtu.”

Kjo kompani me disa dhjetra dyqane nuk u ofron punonjësve vetëm pagën. Deri kohët e fundit, Wegmans mbulonte të gjitha shpenzimet e punonjësve për sigurime shendetësore. Gjithashtu, ajo ka dhuruar më shumë se 54 milion dollarë për shkollimin e më se 17 mijë punonjësve. Steve o’Malley ka më shumë dekada që punon për kompaninë Wegmans. “Fillova punë kur isha vetëm 16 vjeç. Wegmans më dha bursë studimi dhe shanset që kompania u ofron punonjësve janë të mahnitshme. E gjithë karriera ime ka qenë plot udhëtime pune në mbarë vendin. Kompania ofron shanse të mëdha arsimimi për punonjësit. Më jep gjithashtu mundësinë që pas shkollimit të kthehem përsëri në kompani.”

O’Malley thotë se kompania i trajton të gjitha problemet e punonjësve me shumë seriozitet.

“Ekziston një interesim i mirëfilltë për mendimet e çdo punonjësi, dhe ne jo vetëm që dëgjojmë klientët tanë, por idetë më tepër vijnë nga vetë punonjësit e çdo niveli.”

Që nga viti 1998, revista Fortune publikon çdo vit 100 kompanitë më të mira për punonjësit. Wegmans ka qënë në këtë listë çdo vit, por është hera e parë që ajo arrin të renditet e para.

XS
SM
MD
LG